E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e magjistratëve përplasin institucionet, Gjykata e Lartë nuk merr pjesë në tryezën e thirrur nga Rama

Gjykata e Lartë nuk do të përfaqësohet në tryezën e thirrur për nesër nga kryeministri Edi Rama, ku pritet të diskutohet skema e re e pagave për magjistratët.

Në një përgjigje drejtuar Kryeministrisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, argumenton se diskutimi për pagat është i pavend në këtë moment, pasi ligji i ri për pagat e magjistratëve është tashmë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Sadushi shprehet se mbetet i hapur për dialog institucional, por thekson se për një çështje kushtetuese që është aktualisht për gjykim, vendimmarrja i takon Gjykatës Kushtetuese.

“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, thuhet në përgjigjen e tij.

Sipas Sadushit, pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, në kushtet aktuale, do të shërbente vetëm për të përsëritur qëndrimin institucional të Gjykatës së Lartë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›