Pagesa e ish-të përndjekurve, Malaj: Rrisim në 3 milionë lekë kufirin për një dosje

TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se nga 13500 dosjet e ish-të përndjekurve politikë, 3100 janë trajtuar plotësisht dhe përfituesit kanë marrë pagesat.
Aktualisht, theksoi ai, mbeten për t’u përpunuar rreth 10400 dosje, ku përfitues kryesorë janë brezat e dytë dhe të tretë.
“Nga fondi total prej 1,4 miliardë lekësh, janë paguar vetëm 42%, ose 600 milionë lekë. Ecuria e këtij zëri është e ngadaltë për shkak të mungesës së dokumentacionit të saktë për shumë dosje”, tha Malaj gjatë diskutimeve të ndryshimeve të buxhetit të vitit 2025 të paraqitura në Aktin Normativ në Komisionin e Ligjeve.
Për të përshpejtuar procesin, Malaj tha se Ministria e Financave në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë do të propozojë një ndryshim ligjor, i cili do të rrisë kufirin maksimal të pagesës për një dosje gjatë një vit buxhetor nga 1 milion lekë, në 3 milionë lekë.
“Ky ndryshim synon të përshpejtojë trajtimin e dosjeve dhe të lehtësojë kompensimin e përfituesve”, deklaroi ai.
Malaj u shpreh se Ministria e Financave vijon trajtimin e të gjitha dosjeve në përputhje me ligjin dhe me fondet e alokuara, ndërsa publikimi i kësteve të reja do të vijojë sipas kalendarit të përcaktuar.
“Publikuam këstin e 4 dhe tani ka dalë edhe kësti i pestë që do të vijojë edhe ai të paguhet”, tha Malaj.
Nga ana tjetër, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja nënvizoi nevojën për të adresuar një kategori të veçantë dosjesh, rreth 3500 të tilla, që janë dorëzuar jashtë afatit por plotësojnë kriteret për kompensim. /j.p/r.e/