Pakënaqësi edhe tek FRD/ Biberaj: Ende skam qëndrim politik. Topi: Listat i bënë strukturat
Listat zgjedhore duket se kanë krijuar pakënaqësi edhe brenda Frymës së Re Demokratike.
Burime nga kjo forcë politike bëjnë me dije se Afrim Krasniqi ka dhënë dorëheqjen nga posti i Sekretari Politik të kësaj partie.
E ndërsa dorëheqja e Krasniqit nuk është konfirmuar prej tij, gjatë një emisioni televiziv sekretari politik i FRD-së është treguar tepër kritik për listat e kandidatëve për deputet.
Në emisionit Tonight, Krasniqi tha se në këto zgjedhje elektorale, krimi i organizuar po sponsorizon deputetë të forcave të ndryshme politike, e sipas tij, parlamenti i 23 qershorit do të jetë ndër më problematikët të historisë politike në Shqipëri.
E ndërsa Krasniqi ka qenë kategorik në qëndrimin e tij, nënkryetari i FRD, Aleksandër Biberaj ka deklaruar për TemA-n se ende nuk ka asnjë qëndrim politik.
Për Biberajn, problemi nuk qëndron tek lista, por tek mënyra se si është vendosur shpallja e kandidaturave të kësaj force politike.
Për TemA-n, Biberaj thotë se partia që ai ka krijuar tashmë nuk po funksionon mbi bazën e meritokracisë, çka ka qenë dhe arsyeja kryesore pse ai është larguar nga Partia Demokratike.
Ndërsa ka shprehur kundërshtitë e tij ndaj vendosjes së emrave të kandidatëve për deputetë nga Bamir Topi, nënkryetari i FRD-së thotë se qëndrimin e tij do e bëjë me dije në ditët që do të vijojnë. Por nga sa ai deklaroi, nuk do të jetë çudi më largimi i tij nga forca politike që ai bashkëkrijuar dy vjet më parë.
Ndërkohë kryetari i FRD, Bamir Topi ka deklaruar se përcaktimi i emrave nuk ka qenë zgjedhja e tij personale, por e strukturave të partisë.
I pyetur nga Vizion Plus për këtë çështje, Topi sqaroi se në Frymën e Re Demokratike nuk ka largime dhe as përjashtime.
Gjatë një takimi me studentë të universiteteve publike dhe private, kryetari i Frymës së Re Demokratike u bëri apel të rinjve për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 qershorit.
Bamir Topi ka theksuar nevojën e rotacionit politik ndërsa ka akuzuar dy liderët kryesore Berisha dhe Rama për bashkëpunim të fshehtë në dëm të partive të vogla siç ishte edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor./l.ç