Paketa e re fiskale, ironizon ish zv ministri i PS: Qeveria premtoi që në vitin 2013 uljen e TVSH-së për ushqimet, por fillon ta zbatojë në 2027! Qytetarët duan dorëheqje, jo qeverisje pas 14 vitesh shkatërrim
Ish zëvendës ministri i Arsimit i Partisë Socialiste, Oltion Rrumbullaku ka ironizuar paketën e re fiskale të qeverisë, e cila parashikon uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për ushqimet bazë nga 20 përqind në 6 përqind.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rrumbullaku kujton se ulja e TVSH-së për ushqimet ishte premtuar që në vitin 2013, por ndryshimi po propozohet që të bëhet pas kaq shumë kohësh, në vitin 2027. Ai kritikon qeverinë për vonesën dhe kostot që, sipas tij, kanë përballuar qytetarët ndër vite për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve.
Mes të tjerash, ai shton se qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe jo, siç shton ai, nisjen e një qeverisjeje të re pas 14 vitesh, të cilat i cilëson si vite të shkatërrimit të së ardhmes.
“Kanë premtuar uljen e TVSH për ushqimet në vitin 2013 dhe e propozojnë për ndryshim në vitin 2027. Po 14 vjet nga jeta me ushqime të shtrenjta prej një premtimi të gënjeshtërt kush do të na i kthejë mbrapsht. Qytetarët kërkojnë dorëheqje, jo të filloni qeverisjen pas 14 vitesh shkatërrim të së ardhmes.”, shkruan ai.
Sipas tij, “kjo është një tjetër shenjë që narko-Ramiu është shkatërruar në sondazhe. Po merr premtimet e vitit 2013 dhe po fillon t’i zbatojë sot”.
