Pakistan: Vazhdojnë kërkimet për autorët e sulmit të së shtunës
Ministri i Brendshëm i Pakistanit thotë se bomba e përdorur për shpërthimin e së shtunës në një hotel në Islamabad, ishte mjaft e sofistikuar dhe sulmi ishte i koordinuar mirë.
Rehman Malik tha të dielën në komentet për shtyp se 53 vetë, përfshirë 4 shtetas të huaj, u vranë kur një person përplasi makinën e tij të mbushur me 600 kilogramë lëndë plasëse në hotelin Marriot në kryeqytet. Të paktën 250 vetë u plagosën nga shpërthimi dhe zjarri i shkaktuar prej tij.
Videoja e kamerave të sigurimit në hotel tregon se autori i sulmit u përpoq pa sukses të thyente me kamionin e tij portën e jashtme të hotelit. Pamjet e regjistruara tregojnë se rojet u përpoqën të shuajnë flakët e kamionit para se të ndodhte shpërthimi para hotelit.
Zoti Malik thotë se askush nuk është arrestuar, por zyrtarët dyshojnë se incidenti ishte vepër e ekstremistëve talebanë që kanë lidhje me al-Kaidën.
Kryeministri Jusuf Raza Gilani i ka bërë thirrje kombit që të izolojë
keqbërësit, që përpiqen të destabilizojnë demokracinë dhe ekonominë e
Pakistanit. //mm//