Pakistani paralajmëron Iranin: Sulmi nga Houthit ndaj Riadit prek aleancën e mbrojtjes së Mekës

Pakistani i ka përcjellë Iranit një paralajmërim nga Arabia Saudite, duke i kërkuar Teheranit të frenojë aleatët e tij Houthi në Jemen pas sulmeve të fundit ndaj territorit saudit. Rebelët Houthi kanë goditur një bazë ajrore dhe infrastrukturë naftëpërpunuese në Arabinë Saudite, duke plagosur 73 persona dhe duke rritur frikën për një përshkallëzim të konfliktit në rajon.
Ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khaëaja Asif, paralajmëroi se një sulm ndaj Arabisë Saudite mund të aktivizojë marrëveshjen e sigurisë mes Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Turqisë. “Agresioni ndaj një vendi do të konsiderohet agresion ndaj të tre vendeve”, deklaroi Asif, duke nënvizuar detyrimet e përcaktuara në paktin e mbrojtjes.
Marrëveshja e Mekës, e nënshkruar muajin e kaluar, parashikon që një sulm i armatosur ndaj njërit prej vendeve anëtare të konsiderohet sulm ndaj të treja. Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme pakistaneze tha se aktualisht nuk ka diskutime për një reagim ushtarak ndaj sulmeve të Houthive.
“Kur të vijë koha, ne do të veprojmë sipas marrëveshjes”, deklaroi ai. Pakistani thotë se për momentin synon një zgjidhje diplomatike dhe se forcat e tij do të përdoren vetëm për mbrojtjen e territorit saudit. Irani mohon se kontrollon rebelët Houthi, ndërsa burime saudite pretendojnë se Teherani u ka ofruar atyre armë dhe financim.
Nëse sulmet vazhdojnë, përplasja me Houthit mund të zgjerohet përtej Jemenit dhe të kthehet në një krizë të re rajonale, me përfshirjen e drejtpërdrejtë të fuqive të tjera.
/rtsh.al/