“Pakti për Universitetin”, marshim protestë nga Qyteti Studenti, tek Ministria e Arsimit

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Studentët u mblodhën sot në një protestë, ku kërkojnë rritjen e buxhetit të arsimit me 5% dhe transparencë për buxhetin nga MAS.
Me një banderolë ku shkruhej “U diplomuam pa pakt, në fakt” ata marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit.
Studentët kërkuan përmbushjen e premtimeve të bëra në kuadër të “Paktit për Universitetin”. Gjithashtu studentët kërkojnë të rishikohen titujt akademikë, si dhe të përgjysmohen tarifat e masterit.
Një prej studenteve u shpreh se “sot jemi këtu për të pyetur ata që kanë në dorë fatet e arsimit, kur do të ndërtoni konviktet e premtuara, kur do të ulni tarifat dhe do të na mbështesni, kur do të kuptoni se arsimi është themeli i një kombi dhe jo një pikë e parëndësishme në buxhetin tuaj”.
“Ne nuk do të largohemi deri sa të marrim përgjigjet që meritojmë”, tha ajo.
Studentët paralajmëruan se protesta do të vazhdojë derisa vendimi të rishikohet dhe kërkesat e tyre të dëgjohen.
/k.s/j.p/r.e/