E Diel, 1 Nëntor 2026

Palasë/ Rrezikuan të mbyteshin me kanoe në det, Policia Kufitare shpëton tre pushuese

Tre pushuese kanë rrezikuar të mbyteshin në det në zonën e Palasës, pasi u përballën me përkeqësimin e motit dhe kushtet e vështira detare. Ndërhyrja e shpejtë e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare bëri të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa pasoja për shëndetin.

Ngjarja u konstatua gjatë patrullimit të shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare në sektorin e Palasës. Efektivët vunë re tre shtetaset, të cilat kishin dalë në det me kanoe, por për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detit të trazuar, e kishin të pamundur të ktheheshin në mënyrë të sigurt në breg.

Shërbimet policore ndërhynë menjëherë dhe iu shkuan në ndihmë tre pushueseve, duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg.

Tre gratë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar dëmtime. Pas incidentit, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u bëjnë apel pushuesve dhe të gjithë personave që përdorin mjete lundruese të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në det.

Autoritetet kërkojnë që qytetarët të marrin në konsideratë parashikimet meteorologjike dhe kushtet e detit përpara se të futen në ujë dhe të shmangin daljet me mjete lundruese kur kushtet paraqesin rrezik për sigurinë e tyre.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›