Pallati i Nerënxit
Ka mbetur me nam ajo shprehja për helenët: "Pasi t'i japësh dorën grekut, shiko se sa gishta të kanë mbetur". Kjo vlen edhe për ata që janë shqiptarë, por që për koniunktura politike janë veshur si grekë. Siç është kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ai në fakt, nuk është fare grek, pasi ka lindur dhe është rritur nëpër Shqipëri dhe shumë vonë është ngulur në atë që sot e ka bërë si pronë të vetën. Para një muaji, kur Bollano tha se kërkonte autonomi për Himarën, "Spiuni" shkroi atë që po ndodh realisht në tokën shqiptare. Me autoritetin e kryetarit të bashkisë, Bollano ka penguar regjistrimin e banorëve të rinj të zonës, të cilët janë shtetas shqiptarë që u ngulën aty për një jetë më të mirë brenda kufijve të atdheut të tyre. Ndërkohë që në Shqipëri nuk kanë të numëruar "Bathoret" dhe bathorexhinjtë.
Dhe aq strikt është Bollano në këtë parim, saqë është gati të sakrifikojë edhe ata që janë vërtetë himarjotë. Siç është rasti hem për të qeshur hem për të qarë i Nikollaq Neranxit, ish-deputet i PAA-së së Lufter Xhuvelit, që kaloi me grupin parlamentar të LSI-PDS.
Një ditë të bukur, Neranxi, që administron firmën e frutave të thara nga mbarë bota, shprehu dëshirën për të ndërtuar në tokën ku kishte shtëpinë e vjetër. Por, Bollano nuk pranonte kurrsesi! Kur e pa se nuk mund të çante me drejtësi, Neranxi kërkoi ndihmën e mikut të vjetër dhe të përbashkët: Spiro Peçit, deputet i Zonës Numër 98 Delvinë-Himarë dhe anëtar i grupit parlamentar Qendra Demokrate. Si deputet i zonës, Peçi arriti që ta marrë lejen te Bollano, që Neranxi të ngrejë në truallin ku kishte shtëpinë e hershme, një ndërtesë të re katërkatëshe. Por... një hyrje do të shkonte për ndërmjetësin.