E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pam Bondi kryeprokurore e SHBA, Trump zgjedh avokaten e tij: T’i japim fund gjuetisë politike

President i zgjedhur i SHBA-ve ka emëruar Pam Bondi si prokurore të përgjithshme të vendit, një post i barasvlershëm  me atë të Ministrit të Drejtësisë.

“Për një kohë të gjatë, Departamenti politik i Drejtësisë është përdorur  kundër meje dhe republikanëve të tjerë, por jo më. Pam do ta rifokusojë departamentin tek qëllimet e tij që janë lufta kundër krimit dhe për ta bërë Amerikën sërish të sigurt”, deklaroi Trump.

Bond ka qenë prej kohësh një prej aleateve të Trump. Ajo ishte një prej avokatëve të tij, kur Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres ngriti akuzat e para ndaj ish-presidentit që synonin shkarkimin e tij. Por më pas ai  u shpall i pafajshëm nga Senati .

Po ashtu 59 vjeçarja ishte në mesin e një grupi republikanësh që u paraqitën për të mbështetur Trump-in  në gjyqin penal kundër tij në Nju Jork, i cili përfundoi në maj me dënimin për 34 vepra penale.

Vendimi për emërimin e Bondit erdhi pas tërheqjes së ish ligjvënësit Matt Gaetz.  Nëpërmjet një postimi në rrjete sociale Gaetz theksoi se procesi i konfirmimit të tij ishte shndërruar në një shpërqendrim.

“Ndërsa momenti ishte i fortë, është e qartë se konfirmimi im po bëhej padrejtësisht një shpërqendrim për punën kritike të Tranzicionit Trump/Vance. Nuk ka kohë për të humbur në një përleshje të nisur në mënyrë të panevojshme në Uashington, kështu që unë do ta tërheq emrin tim nga shqyrtimi për të shërbyer si Prokuror i Përgjithshëm”, tha Gaetz.

Dorëheqja e  Gaetz erdhi  dy ditë pasi një avokat i dy grave deklaroi se klientët e tij i treguan hetuesve të Komisionit të Etikës se Gaetz i kishte paguar ato për marrëdhënie seksuale në disa raste, duke filluar që nga viti 2017, kur ai ishte ligjvënës i Floridas./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›