Pamjet e para të bebit mbretëror -FOTO
Duka dhe Dukesha e Kembrixhit prezantuan në Londër, përpara botës, Princin e ri të Familjes Mbretërore dhe më pas lanë spitalin, bashkë me djalin e porsalindur, i cili do të jetë Mbreti i ardhshëm i Britanisë.

Princi, i lindur të hënën në orën 16:24 minuta, ende nuk ka emër dhe nuk pritet të njoftohet sot emri i tij, por do të jetë monarku i 43-të i Anglisë.

Ai është i treti në radhë për marrjen e Fronit të Mbretërisë së trashëgueshme të Anglisë. Princi Uilliam, duke mbajtur Princin e vogël në dorë, tha se foshnja ka një palë mushkëri të mira dhe rëndon shumë. Ne, – tha ai, – po mendojmë për emrin. Ndërsa Dukesha tha se është një moment shumë i veçantë dhe jemi shumë të emocionuar.

Princi Uilliam, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, me humor tha se fatmirësisht ai ka buzët e së ëmës. Princi, pasi e nxorri foshnjën me një sedilje për fëmijët, siç e kërkojnë rregullat e qarkullimit për fëmijët, që udhëtojnë me makinë, u largua bashkë me familjen e re të shtuar, duke i dhënë vetë makinës.

Mbretëresha Elizabeth nuk ka shkuar në spital për ta vizituar stërnipin, për shkak të angazhimeve të saj, por ka thënë se është e mrekulluar nga lindja e foshnjës Kembrixh, siç po quhet tani në mungesë të emrit.

Lindja e Mbretit të ardhshëm ka shënuar, sipas historianëve mbretëror, një ndryshim të madh dhe reformim të traditës mbretërore. Pikërisht, lindja e tij ka shënuar sanksionimin e barazisë gjinore për pasuesit e Mbretërisë, pasi me vendim parlamentar u sanksionua se, pavarësisht nga seksi, fëmija i lindur do të ishte Mbreti ose Mbretëresha e ardhshme, që në lindje.





