Pamuk: E ardhmja e muzeve është brenda shtëpive tona

Orhan Pamuk
Rudina Xhunga
Katër vjet më parë, Orhan Pamuk tregoi në Shqip për librin Muzeu i Pafajësisë. Libri doli. U përkthye në dhjetëra gjuhë, u shpërnda në miliona kopje. Muzeu i pafajësisë është një libër dashurie, për dashurinë si rastësi, për dashurinë e dhimbshme. Një roman tragjik që mbaron pa pasur mundësinë tia vesh fajin dikujt.
Orhan Pamuk vjen sërish në Shqip për të ndarë me publikun shqiptar përurimin e Muzeut të Pafajësisë. Një ndërtesë e përshtatur sipas romanit me të njëjtin titull në një nga lagjet më të vjetra të Stambollit.
Më 27 prill, një ditë para hapjes zyrtare, muzeu u vizitua nga gazetarë të rrjeteve më të rëndësishme, ftuar nga Orhan Pamuk në këtë ngjarje ndërkombëtare, një ide unike në llojin e vet. Një godinë trekatëshe, përkushtuar kujtimit të personazheve imagjinarë të romanit më të fundit të nobelistit, që përcjell emocione dhe dashuri.
Në 83 vitrina, aq sa janë 83 kapitujt e romanit. Muzeu nis me 4213 bishta cigaresh, që i ka prekur Fysuni dhe mbaron me krevatin e dhomës së dashurisë.
Nuk janë lavditë e të shkuarës, ato që kanë rëndësi, thotë Pamuk. Nuk janë sulltanët apo gjeneralët e mëdhenj, por njerëzit dhe objektet e tyre. Ia vlen të ruash detajet e veprimeve tona, të fjalëve dhe aromave tona. Sepse letërsia është arti i shndërrimit të së përditshmes dhe përkohshmes, në sublime dhe të përjetshme. Ndaj e ardhmja e muzeve është brenda shtëpive tona.
Dy vjet më parë lexova Muzeun e pafajësisë dhe nuk doja të dilja prej tij. Shumë urime për këtë libër z. Pamuk.
Shumë faleminderit! Libri është një histori dashurie, por nuk e tregon dashurinë si një ndjenje të ëmbël dhe të bukur, por si një ngjarje njerëzore me të cilën mund të përballet kushdo. Romani im nuk është si këngët e dashurisë, nuk është një ndjenjë e ëmbël. Romani im rrëfen një situatë njerëzore të pashmangshme. Libri mundohet të kuptojë, të tregojë të gjitha stacionet, ku ndalon, njeriu kur dashuron; duke filluar me padurimin e deri te xhelozia, me zemërimin deri te dialogu që ai bën me veten.
Ju e kishit menduar që do të kishte një muze për Muzeun?
Muzeun dhe romanin i mendova dhe ndërtova njëkohësisht. Nuk ishte libri që më bëri të mendoja për muzeun dhe as muzeu për librin. Unë mendoja njëkohësisht për to. Në këtë mënyrë, vjen historia edhe në roman. Kemali është shumë i dashuruar me Fysunin, por punët nuk i ecin ashtu siç ai do. Në mënyrë që ta ruante raportin që kishte humbur, në mënyrë që ta përjetësonte vajzën e zemrës, Kemali nisi të mbledhë të gjitha rrobat, sendet, orenditë, kujtimet, në mënyrë obsesive, në emër të dashurisë së tij.
Edhe unë në kohën që po shkruaja romanin, fillova të mblidhja sendet që shikon përreth, sepse doja ti shikoja ato, para se ti fusja në roman dhe pastaj, pasi romani ti kishte pranuar, ti ekspozoja në këtë muze.
Kur mbarova romanin, shtëpia ime ishte e mbushur plot me gjëra, dhe fillova të mendoja për mënyrën sesi të gjitha këto kujtime, sende të dashurisë së Kemalit me Fysunin, do të mund ti ekspozoja në muze. Në fund e gjeta mënyrën e ekspozimit. Romani ka 83 kapituj, po kaq është dhe numri i vitrinave dhe i kutive në muzeun tonë.
Sa kohë u desh që ky muze të përfundonte?
I gjithë ky projekt ka zgjatur ndoshta 12-13 vjet. Këtë ndërtesë unë e bleva në fund të viteve 80 në fillim të viteve 90. Në fillim të viteve 2000 atë e shndërrova në një muze, por gjatë këtyre viteve ndodhën shumë gjëra të tjera. Nuk ishte muzeu dhe as libri ngjarjet kryesore në jetën time. Mendoja për to, por paralelisht jetoja dhe shkruaja libra të tjerë. Shkrova librin Stambolli, mbarova librin Bora, më pas u shfaqën problemet politike.
U deshën shumë vite që unë të përfundoja Muzeun e pafajësisë. Në fillim mendoja të hapja muzeun sapo të përfundoja librin, por qe e pamundur. I lashë kohë lexuesit të mësohet me librin dhe tani jam gati ta fus atë në muzeun e Muzeut. Por nuk është e nevojshme të lexosh librin në mënyrë që të shijosh muzeun, ashtu sikurse nuk është e nevojshme të kesh vizituar muzeun, në mënyrë që të shijosh plotësisht librin. Po ata që e kanë lexuar romanin do të ndjejnë më shumë shpirtin e objekteve dhe ata që kanë vizituar muzeun, do të zbulojnë më shumë nuanca, të humbura gjatë leximit.
A është Muzeu libri më i bukur i jetës suaj, libri më i plotë, më i rëndësishëm?
Nuk e di. Nuk mund të vendos gishtin mbi një libër e të them se ky është libri më i bukur që kam bërë. Libri që mua më mbërthen më shumë është Libri i zi, i cili është një libër i ngarkuar, i impenjuar. Muzeu i pafajësisë, është një roman dashurie, është një libër më i përhapur, më i pëlqyer, më popullor. Pastaj lidhja me një libër ndryshon nga një shtet në një tjetër. Edhe unë ashtu ndryshoj.
Librat janë si fëmijët, në një periudhë do pak më shumë njërin, në kuptimin e kushtimit, jo dashurisë. Pas pak kohësh harron atë dhe fillon të mendosh për tjetrin.
Media ndërkombëtare e ka kthyer në një lajm të rëndësishëm këtë javë prilli hapjen e Muzeut të pafajësisë në Stamboll. A është ky një vend unik që do të kthehet në pikë pelegrinazhi për turistët?
Mundet, por unë nuk e bëra duke menduar këtë gjë. Në fillim, kur unë nisa punën për këtë muze, mendoja se do të ishte një vend i vogël dhe se sdo të vizitohej nga asnjeri. Në atë kohë nuk isha aq shumë i njohur në botë. Mendimi më dukej i çuditshëm. Tani nuk më duket më i tillë. Ju e shikoni, ka shumë interes për këtë muze. Por hapësira është e vogël dhe mund të përballojë, deri në 500 vizitorë në ditë. Jo më shumë.
Por ashtu, siç e thatë edhe ju, e gjitha bota po tregon interes, dhe shpresoj të vazhdojë kështu.
A ju bën ky Muze të mendoni për muzeun e jetës suaj?
Jo, nuk më bën të mendoj. Ky muze nuk është muzeu im, ky muze nuk është për mua. Ajo që më ngazëllen, më emocionon dhe më bën ta shoh si unike këtë shtëpi, është se për herë të parë, kemi muzeu për një roman, për një trill, për një histori imagjinare dashurie.
Njëkohësisht, është një muze modest i Stambollit. Them modest, pasi Stambolli meriton shumë më tepër. Por këtu janë rreshtuar sende e objekte të ndryshme që nga viti 1950 deri në ditët tona, gjëra që kanë përdorur njerëzit e këtij qyteti, siç po e shikoni dhe ju, biletat e autobusëve, sapunët, enë të ndryshme, çanta dore, ora, ibrikë, çajnikë. Muzeu përfaqëson atë që personazhet e romanit përdornin, vishnin, dëgjonin, qepnin, atë për të cilën jetonin dhe ëndërronin, të gjitha rregulluar me përpikëri në kuti të ndryshme dhe dollapë ekspozuese. Kur i zgjodhëm dhe mblodhëm këto gjëra nuk menduam për një muze historik, por menduam që të shfaqej atmosfera, drita, mendimi dhe shpirti i këtij qyteti.
A jeni lodhur nga pyetjet e njerëzve nëse është e vërtetë historia midis Kemalit dhe Fysunit dhe nëse ju jeni Kemali?
Edhe pse lexuesit e dinë që historitë janë trillime, në artin e romanit ekziston dhe mendimi se gjithçka është e vërtetë. Njerëzit lexojnë, padyshim dinë se çfarë është romani dhe që ajo që lexojnë është një trillim i shkrimtarit, por pasi lexojnë 5 faqe fillojnë të veprojnë, të mendojnë sikur ajo që lexojnë është e vërtetë. Kaq shumë përfshihen, ndihen pjesë, nëse u pëlqen libri, sigurisht.
Kjo lidhje mes të vërtetës dhe imagjinatës tani është e ekspozuar në muzeun tonë. Nga njëra anë themi që heronjtë tanë j