Panairi “FITUR 2024”, Sako për RTSH: Bashkëpunime të reja, synojmë turizëm gjithëvjetor në Durrës

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako synon ta kthejë qytetin e Durrësit në një vend që të frekuentohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin veror. Ne një intervistë për gazetaren e RTSH, Denanda Shkodrani nga Madridi ku ndodhet në Panairin ndërkombëtar të turizmit “FITUR 2024”, tha se Durrësi ofron potenciale të mëdha për turistët dhe se ky panair do të shërbejë për të mësuar se si të operojnë në turizëm duke konkurruar shtetet e mëdha në këtë fushë.
“Është një event shumë i rëndësishëm i përfaqësuar nga qeveria dhe bashkia Durrës përfaqëson qytetin në këtë panair, i cili tashmë ka një traditë të sektorit të turizmi. Ne kemi punuar edhe me shtrirjen kohore ku kemi turizëm nga marsi deri në fund të tetorit. Ky panair është një mundësi e mirë për të pasur kontakte dhe bashkëpunëtorë të rinj, si dhe për të parë edhe shtete të tjera si konkurrojnë me turizmin dhe për të mësuar. Qyteti ynë ka hapur një faqe të re në zhvillimin e turizmit me projekte të mëdha në qytet. Marina turistike qe ka filluar punën dhe do e vendosi Durrësin në një arenë ndërkombëtare se do jetë jo vetëm marina më e bukur e Mesdheut por edhe një atraksion turistik për të gjithë Ballkanin. Synimi ynë është turizmi gjithëvjetor jo vetëm në sezonin turistik veror, pasi kemi një potencial të madh gjatë dimrit”, tha Sako.
Shqipëria merr pjesë në Panairin ndërkombëtar të turizmit “FITUR 2024” organizuar nën kujdesin e Mbreti Felipe VI të Spanjës, ku do të prezantojë modelin e saj të diversitetit turistik nën kornizën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në harmoni me mjedisin.
Nën sloganin “Albania, all you need is here”, Shqipëria synon të tërheqjen e vizitorëve përmes shembullit të praktikave pozitive e të qëndrueshme në turizëm që promovojnë destinacione të turizmit natyror, prodhuesit lokalë, traditat e lashta, produktet artizanale e mikpritjen shpirtërore.
/rtsh.al/