E Martë, 3 Nëntor 2026

Panairi i 137-të i Kantonit mbyllet me një numër rekord blerësish të huaj

Panairi i 137-të i Importit dhe Eksportit të Kinës, i njohur edhe si Panairi i Kantonit, përfundoi të hënën në Provincën Guangdong të Kinës jugore. Organizatorët njoftuan pjesëmarrjen e mbi 288.000 blerësve të huaj në të.

Kjo ishte një rritje prej 17.3% nga sesioni i mëparshëm, duke vendosur kështu një rekord të ri. Kishte 171.750 pjesëmarrës për herë të parë. Blerësit nga vendet e nismës “Një Brez, një Rrugë” arritën në total 187.450, duke shënuar një rritje vjetore prej 17.4% dhe duke përfaqësuar 64.9% të të gjithë blerësve të huaj.

Eventi tërhoqi gjithashtu mbi 527.000 blerës online nga 229 vende dhe rajone anembanë botës.

Në të u shfaqën gjithsej 4.55 milionë ekspozita, duke përfshirë 1.02 milionë produkte të reja, 880 mijë produkte të gjelbra dhe me karbon të ulët, si edhe 320 mijë produkte inteligjente.

Zona e parë e robotikës së shërbimit, rezultoi të ishte një nga pikat kryesore të eventit, me 46 prodhues kinezë që prezantuan mbi 500 robotë të përparuar që mbulojnë 60 aplikime industriale.

I themeluar në vitin 1957, Panairi i Kantonit mbahet dy herë në vit në Guangzhou. Ai është më jetëgjati nga eventet gjithëpërfshirëse ndërkombëtare tregtare në Kinë dhe është cilësuar si barometri i tregtisë së jashtme të Kinës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›