Panairi i ëmbëlsirave dhe produkteve vendase, në Maliq prezantohen gatimet tradicionale

Tradita, produktet vendase dhe gatimet e trashëguara ndër breza janë bërë bashkë në panairin e ëmbëlsirave, prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe bletërritësve në Maliq.
Aktiviteti, i organizuar nga Qendra Kulturore “Dhimitër Orgocka”, solli në një hapësirë të vetme prodhuesit dhe banorët e zonës, të cilët prezantuan punën dhe pasuritë e krahinës.
Dhora Dajko, drejtoreshë e Qendrës Kulturore “Dhimitër Orgocka”, u shpreh: “Panairi i ëmbëlsirave ka ardhur si ide pasi këtu ka qenë kombinati i sheqerit dhe duam ta ruajmë këtë traditë. Kemi produkte të shumta. I falënderojmë të gjithë ata të cilët kanë sjellë mundin dhe djersën e tyre në këtë panair.”
Pjesë e panairit ishin prodhimet e tokës, bulmeti, mjalti, ëmbëlsirat dhe gatimet tradicionale, të përgatitura nga banorët sipas recetave të ruajtura në familje ndër breza.
Aktiviteti u shoqërua me muzikë dhe elementë të folklorit shqiptar, duke e kthyer panairin në një hapësirë promovimi për prodhimin vendas, kulturën dhe traditat e Bashkisë Maliq.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/