Panairi i librit “Valë dhe Fjalë” në Shëngjin pret autorë nga Shqipëria e Kosova, interes edhe nga pushuesit

Mes zhurmës së valëve dhe gjallërisë së Verës, në Shëngjin po zhvillohet për herë të parë panairi i librit “Valë dhe Fjalë”.
Pjesë e këtij eventi kulturor janë mbi 20 shtëpi botuese me qindra tituj të rinj librash, si dhe shumë autorë nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kanë ndarë emocionet e tyre me lexuesit.
Organizatorët synojnë të kthejnë këtë event në një traditë të përvitshme kulturore në Shëngjin.
“Janë diku tek 20 shkrimtarë të ndarë në 6 panele në dy netë. Janë botuesit, studiuesit, poetët dhe shkrimtarët më të mirë”, tha organizatori i panairit, Liridon Mulaj.
“Jemi në panair dhe me një auditor të jashtëzakonshëm që Lezha e meriton’, tha kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Shkrimtarët pjesëmarrës thonë se panairet janë një mundësi e mirë për të afruar lexuesit me librin, në një kohë kur bota virtuale po ecën me ritme të shpejta.
“Librin tek lexuesi nuk e çon dot autori apo botuesi por duhen politika publike dhe ky panair është një shembull i mirë për ta afruar librin me lexuesin”, tha Besnik Mustafaj.
“Panairi i librit është promovimi i gjuhës shqipe, i kulturës, i shpirti shqiptar. Në kohët e sotme ku libri është në një pozicion disfavorizues, por ai ka për të mbijetuar ashtu siç ka mbijetuar për 4 mijë vjet”, tha shkrimtari Rudolf Marku.
Panairi i librit “Valë dhe Fjalë” në Shëngjin do të zgjasë për dy ditë.
/rtsh.al/