Panariti: Agimi i Artë duhet shpallur non grata
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, tashmë ministër i ri i Bujqësisë në qeverinë Rama komenton ngjarjet e pak ditëve më parë në Himarë.
Ai sugjeron që qeveria e re shqiptare të diskutojë me ministrin e Jashtëm grek, gjatë vizitës së pritshme në Tiranë, ndalimin e veprimeve me sfond ekstremist nga persona grekë. Nisur nga ngjarja e fundit, Panariti shprehet se: Jam i mendimit se duhet të bashkëpunohet edhe me shtetin helen dhe sidomos midis shërbimeve informative shtetërore përkatëse për parandalimin e provokimeve dhe incidenteve të tilla, është shprehur Panariti.
Sipas tij, Të gjithë individëve dhe subjekteve, që me veprimet apo deklaratat e tyre cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe nxitin urrejtjen dhe konfliktet ndëretnike, duhet tu pamundësohet një gjë e tillë dhe në këtë kuadër, statusi i personit non grata përbën vetëm njërin prej këtyre instrumenteve në dispozicion të autoriteteve shtetërore. Kur them pamundësohet, kam parasysh jo vetëm ndalimin fizik të zhvillimit të veprimtarive të tilla me sfond racist, ksenofob dhe luftënxitës, por edhe të mosfaktorizimit në media të eksponentëve radikalë për shpalljen e platformave të tyre ekstremiste. Për të mos e lejuar përsëritjen e incidenteve të tilla kërkohet një bashkëpunim më i efektshëm ndërinstitucional midis Shërbimit Informativ Shtetëror, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Rendit.
Sa i përket çështjes tjetër, asaj të toponimeve, Panariti thotë për GSH-në se: Pala shqiptare, përkatësisht Ministria e Rendit duhet të fillojë sa më parë prodhimin e dokumenteve me emërtesat sipas kritereve të dakordësisë midis palëve, ndërsa Për sa u takon dokumenteve të vjetra, për të cilat ky modifikim është i pamundur, duhet gjendur një zgjidhje kompromisi me palën greke, e cila pritet të jetë edhe rezultantja e bisedimeve në nivel të lartë midis palëve, shprehet Panariti. /A.XH