Panariti i telefonon Avramopulos për bllokimin në kufi

Panariti e Avramopulos gjatë takimit në Greqi
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, kërkoi dje nga homologu grek Dimitris Avramopulos të ndërhyjë për të lejuar kalimin në pikën kufitare të Kakavijës të të miturve, të cilët në pasaportat e reja kanë emërtimet në shqip të emrave të qyteteve greke. Pas shqetësimit të ngritur nga disa familje, të cilat nuk janë lejuar të kalojnë në kufirin grek, Panariti ka biseduar dje në telefon me ministrin e Jashtëm grek, Avramopulos, të cilit i ka kërkuar që të lejohet kalimi i të miturve dhe të vazhdohet rreth dy muaj me praktikën e vjetër të njohjes së dokumenteve. Kjo praktikë sipas Panaritit duhet të lejohet për një afat kohor jo shumë të gjatë deri në arritjen e një marrëveshjeje të re midis dy palëve. Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme, mësohet se Avramopulos i ka premtuar kreut të diplomacisë shqiptare se nuk do të ketë më bllokime në kufi dhe se kjo çështje do të zgjidhet. Ndërkohë që vetëm dje në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, janë me dhjetëra rastet kur fëmijë të mitur lindur në Greqi nuk pranohen të udhëtojnë në Greqi, duke kthyer mbrapsht të gjithë familjen për shkak të emërtimeve në shqip të qyteteve greke ku ata kanë lindur. Në rastin e denoncuar në media bëhet fjalë për dy fëmijë 6 vjeç dhe një 1 vjeç, të cilët nuk janë lejuar të hyjnë në Greqi. Prindërit e tyre u bënë dje thirrje autoriteteve shqiptare që gjatë vizitave në Greqi të zgjidhin këto probleme të mëdha që po ndajnë me dysh familjet dhe që bëjnë të rrezikojnë gjithçka që kanë arritur në vite të tëra emigrim në Greqi.