Panelet diellore, aplikimi për familjarët hapet më 24 shkurt

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Pas suksesit të thirrjes së parë ku 1981 familje në të gjithë vendin, kanë të instaluara sot në banesat e tyre panelet diellore për ngrohjen e ujit, të subvencionuara në masën 70% nga buxheti i shtetit, tashmë ka nisur puna për thirrjen e dytë.
Një masë kjo e cila ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e faturës së energjisë elektrike për familjet që kanë instaluar këtë sistem.
Agjencia për Eficiencën e Energjisë (AEE) çeli të martën thirrjen për ofruesit e shërbimit, ndërsa publikoi kriteret, rregullat, procedurat, dhe metodologjinë për përfitimin nga masat e mbështetjes me financim për sistemet për ngrohjen e ujit me depozitë me panele diellore. Ndërsa aplikimet për konsumatorët familjar do të hapen në datë 24.02.2024 ora 00:00 në portalin
Subjektet tregtare (fizike apo juridike) të interesuara për të ofruar shërbimin e instalimit të sistemeve për ngrohjen e ujit me panele diellore duhet të plotësojnë disa kritere.
Ato duhet të jenë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, sipas legjislacionit në fuqi, të kenë status aktiv dhe të kenë në fushën e veprimtarisë objektin e financimit.
Duhet të vërtetojnë se nuk kanë detyrime ndaj organeve tatimore. Panelet e instaluara duhet të shoqërohen me një garanci 5-vjeçare nga subjekti instalues, si dhe të disponojnë skedën teknike të instalimit termik.
Njëkohësisht duhet të disponojnë preventivin/ofertën për instalimin termik, duke përfshirë dhe kostot e transportit e të instalimit. Oferta financiare do të jetë detyruese dhe ofertuesi nuk mund të lëshojë faturë me çmim të ndryshëm nga oferta e paraqitur për çdo aplikues në varësi të qytetit.
Subjektet duhet të deklarojnë një listë statistikore të qyteteve ku mund të ofrojnë shërbimin, si dhe të disponojnë një deklaratë përgjegjësie për çdo kontrate shitjeje, sipas së cilës pranojnë kryerjen e shërbimit kundrejt konsumatorëve familjarë nga shitja deri te kolaudimi i sistemit termik, brenda afatit të përcaktuar.
Operatorët ekonomikë dërgojnë ofertat ekonomike për modelet e pajisjeve që ato tregtojnë, të cilat plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë thirrje. Pajisjet e ofruara duhet t’i përkasin dy klasave më të larta të eficencës së energjisë, në përputhje me ligjin për etiketimin e produkteve me ndikim në energji dhe akteve nënligjore përkatëse.
Dorëzimi:
Dokumentacioni mund të dorëzohet fizikisht pranë zyrave të Agjencisë për Eficencën e Energjisë Blv. Bajram Curri, Rruga Viktor Eftimiu, ish godina e KESH, Kati i IV Teknik ose elektronikisht në e-mail info@eficenca.gov.al.
Aplikimet duhet të dorëzohen pranë Agjencisë për Eficiencën e Energjisë brenda datës 17 shkurt./j.p/ 