E Diel, 1 Nëntor 2026

Panik në Fier, automjeti merr flakë në mes të kryqëzimit

Një ngjarje që shkaktoi panik te drejtuesit e mjeteve dhe kalimtarët e shumtë është shënuar pasditen e kësaj të premteje në kryqëzimin e njohur si “Zogu i Zi”, në qytetin e Fierit, ku një automjet është përfshirë papritur nga flakët.

Ngjarja ndodhi në një nga nyjet më të ngarkuara me trafik të qytetit, kur nga pjesa e përparme e mjetit ka nisur të dalë tym i dendur dhe më pas flakë.

Neutralizimi i shpejtë i vatrës

Pavarësisht rrezikut për përhapjen e zjarrit dhe djegien e plotë të mjetit apo rrezikimin e mjeteve të tjera pranë tij, situata u vu shpejt nën kontroll falë reagimit të menjëhershëm të shërbimit zjarrfikës të qytetit.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë të shërbimit zjarrfikës, flakët u neutralizuan në kohë, duke mos lejuar përhapjen e zjarrit në të gjithë automjetin. Si pasojë, dëmet u kufizuan kryesisht në pjesën e motorit.”, raporton nga vendngjarja gazetarja e RTSH 24 në Fier.

Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar apo pasojë në njerëz, përveç dëmeve materiale në pjesën e motorit të mjetit. Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e plota të rënies së zjarrit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›