E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Francesku denon punen skllaveruese

Ndërsa numri i viktimave pas shembjes së një fabrike tekstike në Bangladesh është rritur në mbi 400 persona, Papa Françesku lëshoi në ditën e 1 majit një apel kundër punës skllavëruese në të gjithë botën.

Shembja e ndërtesës ndodhi pasi punëdhënësit neglizhuan disa herë ankesat e punëtorëve, të paguar më pak se një euro dita për një punë sfilitëse, të cilët prej ditësh kishin parë të çara që zgjeroheshin në strukturën e ndërtesës. Ndërsa kërkimet për trupa të tjerë të pajetë në rënojat e ndërtesës së shembur një javë më parë vazhdojnë, kjo fatkeqësi ka shërbyer si një jehonë ndërgjegjësimi kundër të gjitha firmave shumëkombëshe, që zhvendosin krahun e punës në disa prej vendeve më të varfëra të botës, për të paguar vetëm me “thërrime” punëtorët e tyre. ”Mospagimi i një rroge të drejtë, mossigurimi i kushteve të sigurisë dhe përqëndrimi vetëm në maksimalizimin e fitimeve bie në kundërshtim me urdhëresat e Zotit”, deklaroi Ati i Shenjtë i Vatikanit, në një meshë gjatë së mërkurës. Ndërkohë, fatkeqësia e Bangladeshit rrezikon të marrë përmasa edhe më të mëdha në ditët në vazhdim. Rreth 300-400 persona rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa në total, 2 437 punëtorë arritën të shpëtonin, të paprekur ose me plagë nga incidenti, teksa 410 të tjerë humbën jetën nën rënoja.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›