Papa Françesku shmang shërbesat kryesore të Vitit të Ri

Ndryshe nga tradita, Papa Françesku nuk do ta drejtojë në Vatikan shërbesën natën e ndërrimit të viteve dhe ditën e parë të Vitit të Ri. Vatikani njoftoi se anulimi vjen për shkak të përkeqsimit të problemeve që Ati i Shenjtë ka me nervin shiatik, i cili i shkakton dhimbje në këmbën e tij të djathtë.
Kjo është hera e parë që nga viti 2013 kur Françesku u bë Papë, që 84 vjeçari anashkalon drejtimin e një ngjarjeje të madhe të papatit për arsye shëndetësore. Shërbesa e fundvitit, që Papa do të drejtonte të enjten në mbrëmje tashmë do të udhëhiqet nga Kardinali Giovanni Battista Re ndërsa mesha e së premtes, e cila shënon Ditën Botërore të Paqës të Kishës Katolike, do të mbahet nga Kardinali Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit. Por Papa megjithatë pritet të drejtojë lutjen e tij të mesditës të së premten ashtu sikurse ishte planifikuar njoftoi Vatikani. Për shkak të kufizimeve të koronavirusit në Itali, dy shërbesat fetare do të mbahen në bazilikën e Shën Pjetrit me pjesmarrjen e rreth 200 personave nga 10.000 që mban bazilika. Papa Françesku vuan nga nervi shiatik dhe ai është parë ndonjëherë duke ecur me vështirësi për shkak të dhimbjeve. Për shkak të gjendjes ai kryen terapi të rregullt fizike.