E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Parandalimi dhe hetimi i krimeve zgjedhore, Dumani, Çela dhe Celibashi takim në ambasadën gjermane

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani informuan sot ambasadorët dhe shefin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it në Ambasadën Gjermane në Tiranë mbi gjendjen aktuale të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.

Kështu bëri të ditur ambasada gjermane nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku theksoi se “informimi përfshiu gjendjen aktuale të aktiviteteve në të gjithë territorin e Shqipërisë, një përmbledhje të ankesave të marra dhe procedimeve të nisura deri më sot, si dhe statusin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë përkatës”.

Sipas ambasadës gjermane, “bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve shqiptare të përfshira dhe efekti parandalues i veprimtarisë së përbashkët ndaj krimeve zgjedhore u mirëprit nga pjesëmarrësit”.

“Ambasadorët përshëndetën angazhimin e aktorëve shtetërorë dhe politikë shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 11 maj”, nënvizoi ambasada gjermane.

Ambasada gjermane e përmbylli reagimin duke theksuar se “organizimi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike të vendit, gjithashtu në lidhje me aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›