Parkoi gabim dhe pengoi kalimin e zjarrfikëses, nën hetim 22-vjeçari në Himarë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Një 22-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia në Himarë pasi parkoi në mënyrë të gabuar duke bllokuar rrugën dhe penguar kalimin e mjetit zjarrfikës.
Policia njoftoi sot se “strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ndërhynë pas njoftimit për një automjet të parkuar gabim, në rrugën “25 Marsi”, në qytetin e Himarës.
“Gjatë verifikimeve, u konstatua se një automjet tip “BMW” ishte parkuar në mënyrë të gabuar, duke bllokuar rrugëkalimin dhe penguar kalimin e një mjeti zjarrfikës, që ndodhej në një situatë emergjente”.
Sipas Policisë, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, u shoqërua së bashku me automjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë, ku, pas veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve, u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Himarë vendosën gjithashtu masë administrative 20 000 lekë.
/m.q/r.e/