Parku Kombëtar Lurë – Mali i Dejës, u mbollën 11 470 fidanë pishë e zezë gjatë këtij viti

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Në Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës u mbollën këtë vit 11 470 fidanë të llojit pishë e zezë (Pinus nigra), në kuadër të projektit katërvjeçar të organizatës “Trees for Lurë”, i cili ka objektiv kryesor ripyllëzimin e terreneve të dëmtuara ndër vite.
Konkretisht 9470 fidanë të llojit pishë e zezë u mbollën në Parkun Kombëtar Lurë – Mali i Dejës si dhe 1700 fidanë janë mbjellë në Pregjë-Lurë (në territor të pyjeve të bashkisë Dibër).
Mbi 90% e fidanëve të mbjellë janë realizuar duke punësuar rreth 30 punëtorë nga fshatrat e Lurës.
Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është që 80% e fidanëve të mbjellë sivjet nga “Trees for Lurë” janë të prodhuar në fidanishten e tyre, e cila ndodhet në Fushë-Lurë në kuotën 1100 m mbi nivelin e detit dhe ka kapacitet prodhues deri në 15 000 fidanë në vit.
Ndër aktivitetet e realizuara paralelisht me mbjelljen e fidanëve kanë qenë edhe aktivitete edukuese me nxënësit e shkollave në Lurë dhe Rrëshen, një aktivitet sensibilizues me Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, ku morën pjesë specialistë nga ajo agjenci si dhe nga Drejtoria e Bujqësisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Sektori i Pyjeve dhe Kullotave nga bashkia Dibër.
Gjithashtu janë zhvilluar tre aktivitete mbjellje dhe sensibilizimi me biznese dhe organizata të shoqërisë civile (BestSeller, AOS – Albanian Ornithological Society, Terre des hommes).
Ky sezon mbjelljeje e çon numrin total të fidanëve të mbjellë në Parkun Kombëtar Lurë nga kjo organizatë (Trees for Lurë) në 34 183 fidanë (rreth 30 hektarë pyllëzime) nga viti 2021 deri 2024.
Nga puna në këtë projekt, që po rikthen pyllin në Lurë, mund të mësohet shumë që nga grumbullimi i farave dhe prodhimi i fidanëve, mbjellja e fidanëve me punëtorë dhe vullnetarë, e shoqëruar kjo me veprimtari të tjera informuese dhe ndërgjegjësuese.
/k.s/r.e/a.f/