E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti miraton qeverinë Berisha 2 dhe programin politik, opozita nuk mori pjesë

Tiranë, 16 Shtator NOA - Parlamenti miratoi sonte, pak minuta para mesnate me shumicë votash qeverinë Berisha 2 dhe programin e saj politik, në një seancë plenare që zgjati mbi pesë orë, ku opozita nuk mori pjesë.

Në hapje të seancës plenare, kryetarja Jozefina Topalli njoftoi se janë deklaruar dy grupet parlamentare dhe ftoi Kryeministrin Sali Berisha të paraqesë programin qeverisës.

Në fjalën e tij përpara deputetëve, Berisha paraqiti objektivat kryesorë të asaj që ai e quajti Qeveria e integrimit Evropian për katër vitet e ardhshme.

Kryeministri e vuri theksin te zhvillimi ekonomik, reformat në arsim, shëndetësi dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Duke vlerësuar arritjet gjatë mandatit të parë qeverisës, Berisha nënvizoi se këto arritje përbëjnë një bazë të fortë për vazhdimin e reformave në kuadër të projektit të Shqipërisë Evropiane.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë ftoi opozitën të zërë vendet në parlament duke garantuar se do të ketë rol të rëndësishëm në reformat për integrimin e vendit.

Seanca plenare vijoi me diskutimet e ministrave dhe deputetëve, të cilët paraqitën objektivat që synohet të arrihen në sektorët përkatës.

Më tej, seanca miratoi programin dhe përbërjen e Qeverisë, që e gjeni më poshtë:

Sali Berisha Kryeministër
Ilir Meta- Ministër i Jashtëm dhe Zëvendëskryeministër
Majlinda Bregu Ministre e Integrimit
Lulzim Basha Ministër i Brendshëm
Arben Imami Ministër i Mbrojtjes
Bujar Nishani Ministër i Drejtësisë
Ridvan Bode Ministër i Financave
Petrit Vasili Ministër i Shëndetësisë
Dritan Prifti Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës
Myqerem Tafaj Ministër i Arsimit dhe Shkencës
Sokol Olldashi Ministër i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit
Fatmir Mediu Ministër i Mjedisit

Ferdinand Xhaferri - Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Genc Ruli Ministër i Bujqësisë
Spiro Ksera Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Genc Pollo Ministër Shteti

Duke i uruar suksese Qeverisë së re, kryetarja Topalli tha se reformat e kësaj Qeverie që do të përgatisin Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›