E Hënë, 2 Nëntor 2026

Parlamenti përgatitet për seancë, opozita paralajmëron se nuk do ketë më normalitet

Parlamenti shqiptar mblidhet të enjten për të diskutuar mbi disa projektligje të rëndësishme, por opozita ka paralajmëruar se nuk do të lejojë zhvillimin në normalitet të seancave plenare.

Deputetët demokratë u shfaqën që 90 minuta përpara në portën e Kuvendit, ku Garda krijoi një mur mbrojtës për të penguar hyrjen e 24 parlamentarëve opozitarë të përjashtuar një ditë më parë nga Sekretariati i Etikës. Mes demokratëve në pritje ishin Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, të dy të përjashtuar për 60 ditë pas tensioneve të forta në sallën e Parlamentit, që përfunduan me djegien e karrigeve në hyrje të godinës. Veprimet erdhën si reagim për burgosjen e deputetit Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg për kallëzim të rremë.

Sipas rendit të ditës, parlamenti do të shqyrtojë projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri””.

Po ashtu në seancën e së enjtes pritet edhe miratimi i dy projektvendimeve “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i dytë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi një ditë më parë se grupi parlamentar i PD-së ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme plenare. 

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›