E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parrulla kontestuese perpara Inter-Lazio

Kontestim civil, i qetë, por i ashpër i “Curva Nord”, zemra e tifozëve më të nxehtë të Interit.

Përpara sfidës Inter-Lazio, në momentin e hyrjes së futbollistëve në fushë, janë shpalosur parrulla të shumta. Më e madhja prej tyre shkruante: “President, kemi mbështetur skuadrën gjatë gjithë vitit, pa kontestime. Ju e doni Interin, ne e duam Interin. Tashmë është koha për përgjigje”. Përgjigje për pyetjet, që shoqëronin parrullat e tjera në vazhdim: 1- Sipas jush, pse i gjithë stadiumi ka duartrokitur parrullat e fundit tonat, që i drejtohen shoqërisë? 2- Pse janë vënë në diskutim të njëjtët mjekë, me të cilët arritëm të fitonim “tripletën”? 3- Pse projekti për rinovimin e skuadrës përfshin shitjen e të rinjve aktualë në skuadër, apo atyre të ardhur nga ekipet tona zinxhir (Primavera)? 4- Çfarë kuptimi ka të shesësh gjithmonë lojtarët tanë? 5- 2010-2013. Nga maja e botës kemi rënë në situatën aktuale. Duke marrë shembull ekipet e tjera europiane, besoni se shkaqet duhet t’u faturohen të gjitha lojtarëve dhe trajnerëve gjatë kësaj periudhe? 6- Si ka mundësi, që shoqëria është gjithmonë pasive përkundrejt çdo sulmi mediatik? 7- Tek Interi ka gjithmonë një fajtor për t’u ndëshkuar dhe një rrjedhje ngjarjesh, të paparë në klubet e tjera. Nuk do të ishte më mirë të kishim në drejtim një “njeri të fortë”, të aftë për të transmetuar ndjenjën e përkatësisë, për trajtimin e gjithë situatave në klub dhe “për të vendosur fytyrën” në mbrojtje të shoqërisë? 8- Pse nuk është shpjeguar kurrë motivi i vërtetë i largimit të Oriali-t nga drejtimi i klubit? 9- Pse thuhet që Interi, si shoqëri, është si një familje e madhe, kur në realitet ndodh ekzaktësisht e kundërta? A nuk është e kuptueshme se të gjithë ata mendojnë vetëm për veten e tyre dhe për karriget? 10- Si keni lejuar, që fanella e dytë e Interit të jetë e kuqe, nëse bëhet fjalë për interistë? 11- Keni thënë se ëndrra juaj ishte Champions-i, si babai juaj... tani thoni, që dëshira juaj është stadiumi i ri... Në rregull, por, po Interi? 12- Pse, kushdo që largohet nga Inter, flet mirë për Ju... por keq për Interin? Moratti: Do t’i kisha vënë edhe unë! Në një deklaratë për mediat italiane, Moratti ka mohuar të jetë irrituar nga pozicioni i ndërmarrë nga “Curva Nord”. “Si tifoz, do të kisha bërë të njëjtën gjë, nuk jam shqetësuar aspak. Gjithsesi, ishin parrulla civile. Humbja 3-1 sot? Ishte e shkruar...”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›