Partia e Lirisë prezanton 12 kandidatët për zgjedhjet e 11 majit

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Partia e Lirisë prezantoi sot 12 kandidatët që garojnë në listën e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Në një komunikim për mediet, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi u shpreh se Partia e Lirisë ka qenë gjithmonë në ballë të betejës për listat e hapura, që nga viti 2008.
Blushi u shpreh se “më 11 Maj listat e hapura do të jenë edhe prova më e qartë e fitores sonë dhe triumfi i vërtetë i demokracisë”.
Blushi theksoi se në krye të ekipit të kandidatëve të PL-së qëndron Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili do të konkurrojë në 11 Maj në listën e hapur të Qarkut Tiranë.
Kjo sipas Blushit “vendos përballë një sfide madhore të gjithë klasën politike dhe jep një shembull të jashtëzakonshëm që motivon dhe frymëzon betejën për zgjedhjet e 11 Majit”.
Ndërkohë Gentaj Cala është kandidati i PL në listën e hapur të Qarkut të Korçës. Blushi theksoi se ai është një nga kandidatët më të votuar të Lëvizjes Socialiste për Integrim në zgjedhjet e fundit Parlamentare.
Në qarkun e Shkodrës, PL kandidon me Elmira Ndrevashaj, aktualisht një nga këshilltaret e PL-së në Këshillin Bashkiak të Shkodrës.
“Falënderojmë Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe forumet e larta drejtuese të Partisë së Lirisë për besimin absolut dhe përgjegjësinë shumë të madhe që na kanë dhënë për përfshirjen tonë, në listën e mbyllur të koalicionit, ndarje që bazohet në tre qarqet më të mëdha të Shqipërisë: Tiranë, Fier dhe Elbasan”, tha Blushi, ndërsa prezantoi Edmond Haxhinaston aktualisht kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar; Erisa Xhixhon aktualisht Zv.Presidente e Partisë së Lirisë, si dhe Brunilda Haxhiu, Zv/Sekretare e Përgjithshme e Partisë së Lirisë dhe Sekretare për Çështjet e Familjes.
“Në këtë mënyrë ne garantojmë dhe një përfaqësim dinjitoz dhe të drejtë gjinor 50% me 50%. Nuk mundemi dot për më tepër se 12 deputetë për shkak të sakrificave që duhen bërë kur hyn një koalicion dhe pamundësisë së krijuar për të pasur kandidatë në 4 Qarqe”, u shpreh Blushi.
Në vijim kryetari i Këshillit Drejtues Kombëtar të PL-së, Edmond Haxhinasto prezantoi kandidatët Viktor Tusha dhe Dashamir Xhika.
“Viktor Tusha është gjithashtu themelues i Partisë së Lirisë, është një administrator efikas në të gjitha detyrat që ka pasur gjatë karrierës së tij si i zgjedhur vendor në Lezhë, si dhe një biznesmen i suksesshëm. Ndërsa Dashamir Gjika është një shërbyes i palodhur ndaj njerëzve ne komunitetin e Elbasanit”, tha Haxhinasto.
Ndërsa zv.Sekretarja e Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu prezantoi për qarkun e Fierit Arben Çukon, i cili ka mbajtur pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Prefekturën e Qarkut Fier gjatë periudhës 2013-2016, si dhe postin e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak Fier.
Në Qarkun e Beratit PL përfaqësohet me Lefter Maliqin, me një karrierë në fushën e rendit dhe sigurisë.
Zv.Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho prezantoi kandidatin për deputet në Qarkun e Durrësit, Adriatik Hoxha, aktualisht Sekretar i Sporteve pranë Partisë së Lirisë.
Po ashtu në listën e mbyllur të Qarkut të Tiranës, Xhixho prezantoi Tedi Blushin, themelues i Partisë së Lirisë aktualisht Sekretar i Përgjithshëm dhe drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës.
/m.m//a.f/