Partizani fiton ndaj Vllaznisë me një penallti në minutën e fundit shtesë

TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Partizani ka marrë një fitore in-extremis 3-2 sot në “Loro Boriçi” në një ndeshje shumë emocionuese përballë Vllaznisë.
Shkodranët erdhën pas një jave ku kaluan në qendër të vëmendjes pas incidenteve të ndodhura në Elbasan, që sollën dënimin e presidentit të Vllaznisë me 15 ndeshje dhe me trajnerin Martini që nuk do të jetë në pankinë. Gjithsesi, shkodranët gjejnë në rreshtim përsëri Gurishtën, i cili ka shlyer pjesën e mbetur të dënimit dhe do të jetë në fushë për duelin e sotëm.
Nga ana tjetër, Partizani i Bratu erdhi me një situatë të vështirë, pasi nuk ka arritur të dhurojë rezultate që priteshin prej tij në dy javët e para të kampionatit.
Ndeshja nisi shumë e luftuar nga të dyja ekipet, me të kuqtë që kaluan dy herë në avantazh, u barazuan nga vendasit, humbën një penallti, por arritën të shënonin nga pika e bardhë në minutat shtesë me përsëritjen e saj.
Ndeshja nisi në mënyrë perfekte për Partizanin. Vetëm në minutën e 4-t, Fadairo mori topin në mesfushë dhe lëshoi një goditje të fuqishme nga distanca, duke e dërguar sferën në trekëndëshin e portës së Avramit.
Vllaznia reagoi menjëherë dhe nisi të shtyjë përpara. Presioni i shkodranëve u shpërblye në minutën e 21-të, kur pas një goditjeje këndi, Vata u përplas me sferën dhe e dërgoi atë në portën e tij.
Vendasit patën mundësi të përmbysnin rezultatin, por Qirko ishte në lartësinë e duhur. Në minutën e 40-të, portieri i Partizanit ndali një goditje të fortë të Balajt, duke mbajtur skuadrën e tij në lojë.
Kur pjesa e parë po shkonte drejt fundit, Partizani goditi sërish. Në minutën e katërt shtesë, Bintsouka nisi një kundërsulm të shpejtë dhe gjeti Aliun, i cili nuk gaboi përballë Avramit duke rikthyer avantazhin e të kuqve. 1-2 për Partizanin në pushim.
Në pjesën e dytë, Vllaznia u shfaq më agresive dhe kërkoi menjëherë barazimin. Ai erdhi në minutën e 57-të, pas një gabimi të portierit Qirko. Ky i fundit grushtoi gabimisht një top në zonë dhe sfera përfundoi te Musta, i cili e dërgoi me lehtësi në portën e boshatisur.
Me rezultatin 2-2, ndeshja u bë edhe më e hapur. Të dyja skuadrat patën mundësi për të shënuar, ndërsa Partizani iu afrua golit në minutën e 64-t me Aliun. Sulmuesi u shfaq përballë Avramit dhe tentoi shtyllën e largët, por portieri i Vllaznisë reagoi mirë.
Rasti më i madh i vendasve erdhi në minutën e 79-të. Tounkara gjuajti drejt portës, por Qirko i mohoi golin. Musta mori më pas topin dhe tentoi ta dërgonte në rrjetë, por Janjeva ndërhyri në momentin e fundit dhe shpëtoi Partizanin.
Dhe kur gjithçka dukej se do të mbyllej në barazim, drama nisi në minutën e parë të shtesës. Partizani fitoi një penallti dhe pa përpara një mundësi të artë për të marrë fitoren. Përgjegjësinë e mori përsipër Sidibe, por goditja e tij u ndal nga portieri Avram.
Megjithatë, aksioni nuk përfundoi aty. Musta, i cili largoi topin pas pritjes së portierit, kishte hyrë më herët në zonë. Arbitri Lata pas sinjalizimit të VAR sinjalizoi përsëritjen e penalltisë, duke i dhënë Partizanit një tjetër mundësi nga pika e bardhë.
Këtë herë përgjegjësinë e mori përsipër Human. Futbollisti i Partizanit tregoi qetësi dhe me një goditje të zgjuar arriti të mposhtë portierin vendas, duke shënuar golin e fitores.
Kështu, Partizani triumfon 2-3 në “Loro Boriçi” në një derbi dramatik ndaj Vllaznisë, ku fitorja u vendos vetëm në sekondat e fundit.
Me këtë fitore Partizani ngjitet në kuotën e 4 pikëve, ndërsa Vllaznia mbetet me 2 pikë të grumbulluara në tri ndeshje.
Ndeshja e parë e ditës së sotme, ajo mes Laçit dhe Teutës u mbyll me rezultatin 1-3, ndërsa të premten Egnatia fitoi 2-1 ndaj Skënderbeut.
Të dielën luhen dy ndeshjet e fundit të Javës së tretë. Tirana do të përballet me FK Vorën në “Selman Stërmasi” në orën 16:00, ndërsa siparin e javës së tretë do ta ulë sfida Dinamo City – AF Elbasani në orën 18:30 në “Elbasan Arena”.