Partizani përmbys maltezët e Marsaxlokk, kualifikohet në turin e dytë të Ligës së Konferencës

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ekipi i Partizanit ka arritur të triumfojë sot me përmbysje në Maltë kundër Marsaxlokk me rezultatin 1-2, duke avancuar për në fazën tjetër të kualifikueseve të Ligës së Konferencës.
Sfida nisi me pak raste, teksa goli i parë erdhi pikërisht nga vendasit në startin e pjesës së dytë, një avantazh që zgjati vetëm dy minuta, pasi ishte Cara që rivendosi baraspeshën për “demat”.
Në momentin që takimi mendohej se do të shkonte në shtesë, ishte Keko, i ardhur nga stoli, i cili shënoi në minutën e ’93, duke i dhënë kështu kualifikimin skuadrës së tij, pasi rezultati i ndeshjes së parë në Elbasan kishte përfunduar 1-1.
Formacionet zyrtare:
MARSASHLOK: Drobnjak; Xheferson, Lopez, Raden, Aguirre, N. Muskat, Skikluna; Mikallef, Juri, Igor Guolarte, Aleks Tanke
Trajner: Uinston Muskat
PARTIZANI: Qirko; Hadroj, Sembene, Bytyqi, Zguro, Buxhelaj; Murataj, Maget, Rrapaj; Cara, Bintsuka
Trajner: Orges Shehi
Kështu Partizani avancon në turin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, aty ku do të përballet me skuadrën gjeorgjiane të Iberia 1999.