Partizani, pikët e lëna ndaj skuadrave të vogla bëhen problem
Skuadra e kuqe do të ndeshet të hënën ndaj Naftëtarit të vendit të fundit, por rutina e dështimeve ndaj skuadrave pa pretendime mund të rezultojnë fatale
Skuadra e kuqe ka humbur pesë pikë në dy ndeshjet e fundit, të cilat nëse do të fitoheshin do ta rëndisnin skuadrën në vendin e parë në Kategorinë e Parë. Por dështimi mund të merrte përmasa më të renda, nëse skuiadra nuk do të barazonte në minutën e shtatë shtese ndaj Himarës me mësjavë. Tashmë, Partizani renditet në vendin e katërt me njëzet pikë, katër më pak se Lushnja kryesuese.
Pikët e lëna ndaj skuadrave pa pretendime janë bërë një problem për skuadrën, të cilat mund të rezultojnë fatale në fundin e kampionatit, ku objektivi i ekipit për ngjitjen në Superligë edhe mund të dështojë. Humbja e papritur në nisjen e sezonit ndaj Butrintit në shtëpi është konkluduar nga barazimi i papritur ndaj Himarës në fushë asnjëanëse, rezultate aspak të denja për një ekip me traditë dhe me pretendime serioze.
Skuadrat e tjera nuk kanë mbetur duarkryq, por ata kanë përfituar në maksimum, duke mbetur në majat e kreut, duke i hapur shumë punë Partizanit, i cili tashmë duket dhe i rënë moralisht. Ndaj Naftëtarit kërkohet një histori tjetër, pasi të kuqtë rrezikojnë seriozisht emrin dhe objektivin.
