Partizani shkarkon trajnerin Florin Bratu, shkak rezultatet zhgënjyese dhe humbja në derbi

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ FK Partizani ka njoftuar përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin rumun Florin Bratu dhe stafin e tij teknik, për shkak të rezultateve zhgënjyese në këtë fillim sezoni, të cilat, sipas klubit, kanë cenuar objektivat sportive.
Vendimi vjen një ditë pas humbjes 1-3 në derbin ndaj Tiranës, të luajtur më 11 tetor, ndërsa seancën e radhës stërvitore të të kuqve do ta drejtojë Alfred Deliallisi, trajneri i Partizanit B.
Në pesë javët e para të kampionatit, Partizani ka regjistruar vetëm një fitore, një barazim dhe tri humbje, duke grumbulluar katër pikë. Pas barazimit pa gola me Teutën në javën e parë, skuadra u mund 1-2 nga Laçi, fitoi 3-2 ndaj Vllaznisë dhe humbi 2-4 përballë Dinamos, përpara disfatës në derbin kryeqytetas.
Humbja ndaj Tiranës ishte një tjetër goditje për ekipin e Bratusë, i cili, pas ndeshjes, kishte shprehur zhgënjimin për ecurinë e skuadrës dhe vështirësitë për të gjetur ekuilibrin në lojë. Florin Bratu ishte emëruar në krye të Partizanit në korrik të këtij viti, me objektivin për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe për të luftuar për trofetë. Klubi uroi trajnerin dhe pjesëtarët e stafit të tij për sukses në vazhdim të karrierës sportive.
/a.f/r.e/