Pas Begajt, Makron pritet nga Rama, marrëveshjet e nënshkruara

Presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Macron) ka përfunduar takimin me presidentin Bajram Begaj dhe ka shkuar në Kryeministri ku është takuar me Kryeministrin Edi Rama dhe me të cilin, sikurse bëri me dije gazetarja Denada Shkodrani për RTSH 24, kanë nënshkruar 4 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi, një prej të cilave ka të bëjë me luftën kundër emigracionit të paligjshëm.
Dy liderët kanë firmosur marrëveshje ekonomike, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e artit dhe kulturës, si dhe marrëveshje bashkëpunimi mes policive shqiptare e franceze.
Presidenti Makron dhe kryeministri Rama pas takimit e firmosjes së marrëveshjeve kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ndërsa rreth orës 14:00 parashikohet përmbyllja e vizitës së Makron në Shqipëri, e para vizitë zyrtare e një presidenti francez në Tiranë.
Para takimit me Ramën, presidenti Makron u prit në një ceremoni shtetërore nga homologu i tij, Bajram Begaj, ku u luajtën dhe himnet kombëtare të Francës dhe Shqipërisë.
Pas ceremonisë, dy liderët zhvilluan një takim kokë më kokë në ambientet e Presidencës.
Presidenti Makron mbërriti në Tiranë mbrëmjen e djeshme (16 tetor) ku pati një darkë të shtruar nga Rama dhe ku nderoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare me Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
/rtsh.al/