E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Sandy’t godet stuhia

Pas uraganit Sandy Bregu Lindor i SHBA’ve u goditën edhe nga një stuhi e fuqishme. Pa rrymë elektrike dhe pa kulm mbi kokë kanë mbetur shumë amerikanë, të cilët tani po përballen edhe me të ftohtë, shi e borë.

Disa prej mediave amerikane pohojnë se, vetë stuhia “nuk do të ishte edhe aq problem i madh, po të mos ishin ende të hapura plagët e shkaktuara nga Sandy”. Kjo për shkak se ende ka shumë amerikanë që për shkak të uraganit Sandy vazhdojnë të jetojnë pa kushtet elementare pë jetë, respektivisht, pa sigurinë dhe ngrohtësinë që deri pak kohë më parë iu ofronin shtëpitë e tyre.

Pas uraganit Sandy, nga i cili amerikanët ende s’kanë arritur ta rimarrin veten, për shkak se i njëjti shkaktoi shumë të vdekur dhe shumë dëme materiale, një stuhi e re goditi zona të tëra banimi në New Jersey dhe në New York, duke sjellë me vete shira të bujshme, e diku-diku edhe borë. Nëpër disa zona të caktuara trashësia e borës ka shkuar deri në 30 centimetra.

Sipas mediave amerikane, në zonat e qyteteve të New Yorkut dhe New Jerseyt kanë rënë sasi rekorde të borës brenda vetëm një dite. Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar, sasia prej 15 centimetrave borë që ka rënë brenda vetëm një dite në zonën e qytetit Newark, në shtetin federal New Jersey, shënon një rekord kombëtar që nga viti 1981.

Nga ana tjetër, ka shumë nga ata që, për shkak të uraganit Sandy, mbetën pa shtëpitë e tyre, si dhe nga ata që, edhe pse ka kaluar një javë nga uragani, vazhdojnë të mos kenë energji elektrike. Pa energji elektrike ndërkohë kanë mbetur edhe shumë banorë të Bregut Lindor të cilëve energjia elektrike u ishte lëshuar fillimisht, por që, për shkak të stuhisë, e njëjta u është ndërprerë sërish. Sipas raporteve të agjencisë AP, të tilla janë afro 100,000 amvisëri që janë pjesë e New Yorkut dhe të New Jerseyt. Si rrjedhojë, numri i përgjithshëm i atyre që pas shkretërimit të shkaktuar nga uragani Sandy vazhdojnë të jetojnë pa energji elektrike aktualisht ka arritur në 715,000.

Për më tepër, për shkak të stuhisë së fundit, aeroportet në New York dhe në New Jersey kanë pezulluar mbi 1,700 fluturime, gjë që ka shkaktuar një kaos të vërtetë në fluturimin ajror.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›