Pas dështimit të memorandumit, Financial Times: Ndër objektivat e mundshëm të Iranit janë Bullgaria, Qipro dhe kabllot nënujore në Hormuz

Armëpushimi i brishtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, i parashikuar në memorandumin e mirëkuptimit të lidhur në Islamabad në muajin qershor, ka skaduar zyrtarisht dhe ka dështuar brenda pak javësh. Përplasja ushtarake që shpërtheu fillimisht më 28 shkurt mbetet në një ngërç të rrezikshëm, ndërsa Presidenti Donald Trump po shqyrton strategjinë e re për përshkallëzimin e presionit mbi ekonominë iraniane.
Në këtë kuadër, Teherani ka ngritur rreziqet duke paralajmëruar zgjerimin e rrezes së veprimeve ushtarake jashtë Lindjes së Mesme. Sipas Financial Times, cituar nga ANSA, forcat iraniane po shqyrtojnë goditjen e objektivave ushtarake amerikane në jug dhe juglindje të Evropës, nëse SHBA-ja rinis sulmet ajrore.
Sipas burimeve të Financial Times, ndër objektivat e mundshëm përfshihet Bullgaria, e cila autorizoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për furnizimin e avionëve amerikanë, si dhe Qiproja, ku ndodhet një bazë britanike. Përballë këtyre kërcënimeve, Ministri i Brendshëm bullgar, Ivan Demerdzhiev, konfirmoi rritjen e gatishmërisë ushtarake në jug të vendit.
Reagimi i Aleancës Atlantike ishte i menjëhershëm. Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësit e aleancës siguruan publikisht se “NATO është e gatshme të përballet me çdo kërcënim dhe do të bëjë gjithmonë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët.”
Më tej, zyrtarët e aleancës kujtuan kapacitetet e tyre mbrojtëse, duke nëvizuar se “siç u demonstrua më parë këtë vit, kur mbrojtja ajrore e NATO-s interceptoi me sukses, në katër raste të ndara, raketa balistike të drejtuara nga Turqia nga Irani, aftësitë tona parandaluese dhe mbrojtëse janë të forta dhe efektive”.
Paralelisht me kërcënimet në Evropë, ushtria iraniane po shënjestron kabllot nënujore me fibra optike në Ngushticën e Hormuzit dhe u ka dërguar ultimatume vendeve të Gjirit Persik. Shefi i Shtabit të Ushtrisë Iraniane, Ali Abdollahi, deklaroi prerazi: “Duam t’ju paralajmërojmë: çdo ndihmë ose lehtësim i ofruar ushtrisë agresore amerikane është i barabartë me pjesëmarrjen në operacione ushtarake.”
Tensionet u rritën më tej pas lëshimit të dy raketave balistike drejt territorit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Si përgjigje ndaj këtij incidenti, Dubai mori vendimin e menjëhershëm për të pezulluar të gjitha transaksionet tregtare dhe financiare me Republikën Islamike.
/rtsh.al/