Pas dhunës në protesta, qeveria franceze nis konsultimet me sindikatat

Kryeministri Sébastien Lecornu pritet të zhvillojë takime me pesë sindikatat kryesore të vendit për të diskutuar garantimin e së drejtës së protestës, sigurinë gjatë demonstratave dhe përgjigjen ndaj kërkesave të studentëve.
Në takim do të marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.
Në qendër të debatit janë kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në shkolla, zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, rinovimin e ndërtesave arsimore dhe reformimin e sistemit të pranimeve në universitet. Qeveria ka premtuar se do të paraqesë propozimet e para konkrete në fillim të javës së ardhshme.
Sindikatat kanë kritikuar mungesën e organizatave studentore në tryezën e konsultimeve dhe kërkojnë përgjigje të qarta për çështje si fuqia blerëse, rritja e kostos së jetesës dhe çmimet e karburanteve.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se qindra persona janë ndaluar pas trazirave dhe akteve të vandalizmit të regjistruara gjatë protestave. Qeveria paralajmëron tolerancë zero ndaj dhunës, ndërsa sindikatat këmbëngulin se protestat duhet të mbeten paqësore dhe të mos dominohen nga grupe të dhunshme.
Protesta të reja janë paralajmëruar për ditët në vijim, duke e mbajtur Francën në një gjendje të lartë gatishmërie për sigurinë publike.
/rtsh.al/