E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas heqjes së sanksioneve, presidenti sirian arrin në SHBA për bisedime me Trump

Presidenti i Sirisë, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi SHBA hoqi statusin e tij si “terrorist global”.

Ish-militanti islamist pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të hënën, njëmbëdhjetë muaj pas rrëzimit të Bashar al-Assad.

Pak orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, u raportua se shërbimet siriane të sigurisë kishin arrestuar dhjetëra anëtarë të dyshuar të grupit Shteti Islamik.

Bashkëpunimi për të luftuar mbetjet e këtij grupi pritet të jetë një nga temat kryesore të bisedimeve me Trump-in. Autoritetet siriane thanë se janë arrestuar 71 persona dhe janë sekuestruar armë e eksplozivë.

Që prej marrjes së pushtetit, Sharaa është përpjekur ta rikthejë Sirinë në skenën ndërkombëtare pas dekadash izolimi dhe 13 vitesh lufte civile.

Në shtator ai foli në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke thënë se Siria “po rifiton vendin e saj të merituar mes kombeve të botës”.

Këtë javë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë të SHBA-së për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Sirisë.
Departamenti Amerikan i Thesarit e përshkroi vendimin për heqjen e sanksioneve si “një njohje e përparimit të treguar nga udhëheqja siriane”.

Sharaa, i njohur më parë si Muhamed al-Jawlani, ka qenë lider i grupit Hayat Tahrir al-Sham, i cili ishte i lidhur me Al-Kaedën deri në vitin 2016.

Ai më parë kishte luftuar në Irak dhe ishte burgosur nga forcat amerikane, madje “koka e tij” kishte qenë subjekt i një shpërblimi prej 10 milionë dollarësh.

Pavarësisht të kaluarës së tij, Sharaa ka fituar mbështetje ndërkombëtare, duke premtuar një qeveri më të moderuar që synon unitetin e Sirisë pas viteve të gjata të konfliktit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›