Pas tensioneve ushtarake, SHBA dhe Irani drejt një marrëveshjeje të re për ndalimin e armiqësive në Gjirin Persik

Irani dhe Shtetet e Bashkuara Amerikanë kanë rënë dakord që të ndalojnë armiqësitë e fundit në Gjirin Persik dhe të rinisin bisedimet në lidhje me mosmarrëveshjet e tyre për Ngushticën e Hormuzit. Lajmi u bë me dije nga një zyrtar amerikan për Reuters, sipas së cilit, bisedimet teknike janë planifikuar të vazhdojnë në të gjitha fushat e Memorandumit të Mirëkuptimit prej 14 pikash që u ra dakord më 17 qershor.
“Bisedimet teknike janë planifikuar të vazhdojnë në të gjitha fushat e Memorandumit të Mirëkuptimit. Të dyja palët do të tërhiqen për momentin dhe anijet mund të lëvizin lirisht”, tha zyrtari.
Irani nisi raketa dhe dronë në bazat ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein herët të dielën, menjëherë pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se Republika Islamike do të pushonte së ekzistuari nëse nuk do të respektonte marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Izraeli tha të dielën se kishte goditur përsëri militantët e armatosur të Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban, duke shkatërruar infrastrukturën nëntokësore të përdorur nga grupi në një fshat në Libanin jugor. Kjo erdhi pas një sulmi tjetër të një dite më pare, i cili pasoi menjëherë marrëveshjen e fundit të armëpushimit me Libanin të premten. Irani thotë se luftimet në Liban duhet të përfundojnë nëse marrëveshja më e gjerë do të qëndrojë.
Ushtria amerikane tha më herët se e kishte goditur përsëri Iranin, disa orë pasi një tanker u godit në Ngushticën e Hormuzit, rruga më e rëndësishme e transportit të energjisë në botë, të cilën Teherani e ka mbyllur kryesisht për pjesën më të madhe të konfliktit.
“Mund të vijë një pikë kur nuk do të jemi më në gjendje të jemi të arsyeshëm dhe do të detyrohemi të përfundojmë ushtarakisht punën që e nisëm me shumë sukses”, tha Trump në mediat sociale.
/rtsh.al/