E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas zgjedhjeve.

Nga Elidon Dodaj

elidon dodajNjë javë pas përfundimit të Zgjedhjeve Parlamentare për Kuvendin e Shqipërisë, qetësia i është rikthyer qyteteve tona. Flamujt, posterat, gjithnjë e më shumë po i largohen dekorit të qytetit i cili vijon të jetë nën ndikimin e punimeve dhe shtrimeve të rrugëve e rrugicave punë e cila ka nisur kohë më parë. Kryesisht edhe pushuesit e parë tashmë kanë mbërritur. Në kryeqytet, por jo vetëm gjithnjë e më shumë sheh autobusë me të huaj që vijnë kryesisht nga vendet perëndimore: Gjermania, Austria, Kroacia, dhe nuk mungojnë shqiptarët nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Jeta i është kryer sërish rutinës, nuk mungojnë aktivitete socialkulturore edhe pse vetë stina e verës i kushtëzon paksa me ndërprerjen e tyre për tu rikthyer në vjeshtë. Po ashtu emigrantët këto ditë po kthehen tek familjet e tyre për të kaluar disa ditë pushime për të cilat kanë më shumë nevojë se asgjë tjetër teksa vijnë në Shqipëri. Në fillim të kësaj jave pas zgjedhjeve disa gjëra që shihen botërisht janë: përqindja e votuesve qëndron po në të njëjtën nivel pak a shumë në rritje, 30% i grave dhe mungesa e tyre në Kuvend dhe situata aktuale.

Shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare
Këtë vit numri i votuesve ishte pothuaj më i madh nga të gjitha zgjedhjeve pos 1992. Shumë shqiptarë zgjodhën që të merrnin pjesë në zgjedhje për qindra arsye të ndryshme. Votuesit e rinj bënë ndryshimin nga vite më parë, që dita e zgjedhjeve ishte thjeshtë një ditë për të ikur sa më parë. Qetësia ka për të karakterizuar këto zgjedhje si ditën që triumfoi pas gjithë asaj fushate të nisur pa krye. Ndoshta rotacionit i kishte ardhur koha më së miri, pse jo edhe ndryshimit për një cikël të ri pas tetë viteve pushtet të së djathtës. Fushata që kishte nisur e majta shqiptare, prej më shumë se një viti duke shkuar fshat për fshat, lagje për lagje, qytet në qytet; u kishte dhënë mundësinë të gjithëve të merrnin pjesë nëpër takimet bashkëbiseduese lider popull. Ndërsa kahu tjetër në pushtet, kishte zgjedhur vetëm një dukuri, siç shumë analistë shpesh ia vunë në dukje qeveritarëve atë të rrugëve dhe koncesioneve energjetike. Me pak fjalë duke harruar pjesët e tjera që janë akoma më sociale: çmimet tejet të ngritura, shërbimet shëndetësore në nivele për të dëshiruar, arsimim dhe pjesëmarrje në të nxënë të nxënësve në gangrenë. Edhe pse u ndërtuan shumë shkolla të reja, kopshte e çerdhe mungesa e ujit, higjiena e plotë të tjera linin për të dëshiruar nëpër këto ambiente. U punua në mënyrë egoiste, të atillë që vetëm votuesit ditën ta shprehin me votën e tyre.

Por çfarë presim në këtë katër vjeçar të ardhshëm?
Siç vetë e majta ka deklaruar se nuk do të ketë mrekulli, por njerëzit do të presim ndryshimin e risjell me termin Rilindje! Premtime që do mbahen apo jo, do ti shohim në vijimin e qeverisë së re, e cila do të dal pas pushimeve dhe mbledhjes së Kuvendit të ri i cili do të legjitimoj edhe qeverinë e së majtës që mbajnë plotë 84 vota. Dëgjuam për ulje taksash, shtim vende punësh, e plotë premtime. Skeptikët kanë tashmë hapësira të plota për të folur deri ditën kur të shohim ndryshimet. Nëqoftëse ndryshimet do të ndodhin votuesi shqiptarë tashmë inteligjent do të di të vlerësoj atë qeveri që meriton të jetë shumica për ti drejtuar jo vetëm katër vite, por derisa ajo të jetë në gjendje të stabilizoj vendin duke e ngritur ekonominë e saj, duke kthyer rendin dhe qetësinë në nivele e dëshiruara, e deri tek infrastrukturë moderne e bashkëkohore, arsimim elitar, hapësira për pjesëmarrje të qytetarëve dhe ndarje e mendimeve me to. Të njëjtën mënyrë që shfrytëzuan për afro një vit për të siguruar votat që sot dominojnë Kuvendin.

17.1% përfaqësim në Kuvendin e Shqipërisë.
Vetëm kaq do të jenë nëna, gra e vajza në Kuvendin e Shqipërisë. Tashmë pas gjithë asaj zallumahije të fushatës që ngjyrosi çdo rrugë të vendit, qetësia e ditëve të para të fitimtarëve e ka kapluar mbarë vendin. Politika si kurrë më parë me qetësinë demokratike, po përjeton një ndryshim total edhe për popullin i cili më pak se gjysma mbështeti partinë politikën në këto votime. Mbi 50% ia hoqën vetes me dëshirë të drejtën për të votuar, ndërsa vetëm 2% me vetëdije të plotë nuk ua dhanë votën asnjërës nga partitë që kishte në listën e tejet zgjatur të partive politike.
Po pse kaq pak nëna, gra e vajza në Kuvend? Sipas një ligji që tashmë shumë i njohur 10019 i ndryshuar në vitin 2012 me numrin 74, për përbërjen prej 30% të gjinive kjo ka bërë që dominimin e kuvendit ta rimarrin sërish gjinia e fortë, meshkujt. Ndërsa zonjat kësaj here kanë qëndruar në të njëjtat kuota ku secila prej partive kishte planifikuar të ulte në ulëset e Kuvendit. A do kemi më shumë ministre deputete, ndoshta lënia e mandateve e deputetëve do të sjellin të tjera gra në Kuvend? Këtë le tia lëmë vijimit të sesionit të ri parlamentarë. Por, gjithsesi duke ngelur tek numri i vogël i pjesëmarrjes së femrave në politikë për këtë praktikë aspak të këndshme të zgjedhur me ligj, që në krye të herës i ndëshkon me mos pjesëmarrjen e tyre. Vetë ligji është një sanksion, për të cilin shumë organizata në mbrojtje të gruas tashme u janë drejtuar Kushtetueses për ta riparë edhe njëherë këtë Ligjë i cili asnjëherë nuk do të sjell në karriget e kuvendit atë shumë të preferuar 30%.

Aktualisht
Partitë fituese u kanë kërkuar qeverisë në largim të ruajë standardin e një qeverie të tillë, duke respektuar dhe ndaluar të gjitha vendim-marrjet, mbi shitje-blerjen dhe dhënien e koncensioneve si dhe vijimin në mënyrë sa më të qetë këtë fazë të rotacionit politik. Nga ana e saj qeveria aktuale ne largim, ka kërkuar që administrata publike të vijoj në qetësinë e saj punën duke mos pasur asnjëlloj shkurajimi të ndryshimeve politike. Me këtë kuptojmë se që të dyja forcat politika si e majta që tashmë është fitimtare dhe e djathta e ka pranuar humbjen e saj. Këtë të fundit, lideri historik i të djathtës në daljen e tij e ka marrë përsipër të gjithë humbjen duke falenderuar të gjithë votuesit që vlerësuan alternativën që ato shohin më të mirë për të ardhmen e tyre.
Është koha që secili të meditoj sado pak mbi ndikimin dhe sjelljen politike që populli shqiptar vlerëson apo nënvlerësoj politikën e saj. Tashmë shoqëria shqiptarë, e njeh realitetin jo vetëm majtas djathtas, të mirë të keqe, por njeh atë realitet në të cilin jeton dhe dëshiron të shoh veten e vet mes simotrave të saja në Europën e Bashkuar. Për të arritur deri atje, është një labirinth i tërë që për të dal ka shtigje të pafund. Shtigje që do të kërkojnë shumë vendime e miratime në Kuvendin e ri, i cili edhe pse me forcën e kartonit, është mëse i fuqishëm, sërish autoritetet më të lartë të BE-së do të na kërkojnë që fryma e bashkëpunimit është ajo që do tia sjell shqiptarëve Evropën të cilët e kanë ndër këmbë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›