E Diel, 1 Nëntor 2026

Pashkët festohen në Jeruzalem, ndizet zjarri i shenjtë

Mijëra të krishterë ndezën qirinj e pishtarë nga zjarri i marrë në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem, pjesë e një rituali të lashtë që kremton ringjalljen e Krishtit.

Re të lehta tymi ngriheshin nga hyrja e kishës ku pelegrinë me kryqe e qirinj, një numër rekord këtë herë, kalonin flakën nga njëri tek tjetri. Në anë të turmës së ngazëllyer ishin rreshtuar policë izraelitë, forca speciale e roje sigurie. Gratë palestineze thërrisnin në momentin e daljes së zjarrit, djem të rinj i binin tambureve dhe ai grusht pelegrinësh të paduruar që nisën një përleshje, u vunë shpejt nën fre nga policët izraelitë.

Zjarri i Shenjtë, simbol i dritës së Krishtit dhe ringjalljes së tij pas vdekjes, përhapet më pas në të gjithë botën. Një klerik grek mori pishtarin me Zjarrin e Shenjtë e u ngjit në një avion privat të Patriarkanës Ortodokse greke për t`ia çuar flakën besimtarëve në Greqi e Qipro.

Të tjerë përfaqësues të kishës u nisën me pishtarët e tyre për në Rusi, Rumani dhe në përgjithësi, në ato vende të Europës Lindore ku shumica e besimtarë janë të krishterë ortodoksë. Dy pishtarë u dërguan edhe në qytetet e Betlehemit dhe Ramallah. Rituali i Zjarrit të Shenjtë, i praktikuar prej të paktën 1.200 vjetësh, ka edhe doza rreziku në vetvete për shkak se kisha në shpellë, ku gjendet Varri i Shenjtë ka vetëm një dalje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›