“Pasiguri nga lufta”- Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit, Sejko: Rritja e çmimit të naftës rrezikon inflacionin!

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar në 2.5 për qind normën bazë të interesit për lekun.
Gjatë një konference për mediat, ku prezantoi vendimmarrjen e politikës monetare, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh se fokusi i raportit ka qenë ndikimi që mund të kenë çmimet në ekonomi.
Sejko paralajmëroi se rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare mund të sjellë një rritje të inflacionit mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, si dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike.
“Fokusi i këtij raporti ishte ndikimi që do të ketë ekonomia jonë nga çmimet. Rritja e çmimit të naftës në tregjet e huaja, do të sjellë një rritje të inflacionit mbi objektiv dhe një ngadalësim të rritjes ekonomike. Ky parashikim bazohet në pritjet për përfundim të shpejtë të luftës. Pasiguria mbetet e lartë, dhe balanca e rreziqeve është rritur, por Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar politikën monetare”, tha Sejko.
Ndërkohë, rritja ekonomike e Shqipërisë nuk po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët. Në një kohë që Prodhimi i Brendshëm bruto u zgjerua me mbi 3.5 për qind, shpenzimet mujore të familjeve u shtuan me vetëm 2.3 për qind.
Gati 40 për qind e asaj që një familje shqiptare shpenzoi gjatë 2025-s shkoi për t’u ushqyer. Në vendet e Rajonit ky tregues nuk e kalon nivelin e 27 për qind, ndërsa në Bashkimin Europian vetëm 15 për qind.
Për të ngushtuar sa më shumë hendekun me vendet euiropiane në drejtim të mirëqenies, BERZH rekomandon ndërmarrjen e reformave strukturore, zhvillimin e gjelbër, nxitjen e investimeve dhe frenimin e emigracionit.
Presionet inflacioniste dhe tregjet e huaja
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur se inflacioni i çmimeve të konsumit gjatë muajve korrik-gusht regjistroi një mesatare prej 3.3%, një nivel ky disi më i shpejtë se pritshmëritë e institucionit, por i ngjashëm me tendencat në vendet partnere.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit erdhi në rritje gjatë muajve korrik-gusht. Në një kontekst më të gjerë, ai pasqyron efektet direkte dhe indirekte të rritjes së çmimeve të naftës, produkteve energjetike, ushqimeve dhe të lëndëve të tjera bazë në tregjet botërore,” deklaroi Guvernatori Sejko, duke theksuar se rritja vjen si pasojë e intensifikimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Pavarësisht rritjes në tregjet ndërkombëtare, Guvernatori shtoi se inflacioni bazë dhe ai i brendshëm kanë ardhur në rënie, kryesisht falë stabilizimit të tregut të qirave afatgjata dhe efektit frenues nga forcimi i kursit të këmbimit.
Ekonomia në zgjerim dhe sfidat e tregut të punës
Raporti evidenton se ekonomia shqiptare është rritur me 3.6% në tremujorin e dytë të vitit, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe të ardhurat nga turizmi. Sektorët prijës të kësaj rritjeje mbeten ndërtimi dhe shërbimet. Ky zgjerim i aktivitetit ekonomik është reflektuar drejtpërdrejt në punësim.
Norma e papunësisë ka rënë në minimumin historik prej 8.3%, ndërsa paga mesatare ka regjistruar një rritje prej 11.5%. Megjithatë, pikërisht ky shtrëngim i tregut të punës shihet si një rrezik potencial për çmimet në të ardhmen.
“Presionet e brendshme dhe afatmesme mbi inflacionin vijojnë të jenë të ndikuara nga mungesat e tregut të punës dhe nga rritja e shpejtë e pagave,” shpjegoi Sejko. Ai paralajmëroi se mungesa e ofertës në këtë treg mbetet një burim rreziku për zhvendosjen e ekuilibrave të çmimeve.
Kredia shënon rritje të shpejtë, bie niveli i kredive të këqija
Politika monetare akomoduese ka dhënë një efekt të ndjeshëm në tregjet financiare, duke mbajtur kosto të ulëta financimi. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore të theksuar prej 15.4% gjatë muajve korrik-gusht, duke mbështetur blerjen e banesave, biznesin dhe konsumin.
Në të njëjtën kohë, treguesit e cilësisë mbeten të shëndetshëm. Raporti i kredive me probleme (NPL) ka rënë në 3.7%, duke shënuar nivelin më të ulët që pas krizës financiare globale.
E ardhmja e politikës monetare
Në përfundim, Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia të vijojë trajektoren pozitive të zhvillimit, ndërsa inflacioni mund të pësojë një rritje të lehtë në dy tremujorët e ardhshëm, përpara se të kthehet gradualisht drejt objektivit nga mesi i vitit të ardhshëm. Edhe pse normat u mbajtën të pandryshuara sot, BSH la të hapur mundësinë e ndërhyrjeve.
“Këto parashikime, si dhe prania e rreziqeve të kahut të sipërm mbi inflacionin, forcojnë premisat për një lëvizje në kahun normalizues të qëndrimit të politikës monetare në të ardhmen,” përfundoi deklaratën e tij Guvernatori, duke theksuar se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë me kohën dhe forcën e duhur ndaj çdo rreziku mbi stabilitetin e çmimeve.