Pastrimi i rrugëve dhe mjedisit çregjistrohen përgjithmonë 6128 automjete

Qeveria ka finalizuar procesin e pastrimit të regjistrit kombëtar të automjeteve, duke çregjistruar përgjithmonë 6128 mjete. Kjo nismë vjen si pjesë e përpjekjeve për rritjen e sigurisë rrugore dhe luftimin e ndotjes mjedisore.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se ky proces përfaqëson një hap thelbësor drejt përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe largimit të mjeteve të papërdorshme nga qarkullimi. Automjetet e çregjistruara konsideroheshin “jashtë qarkullimit” dhe ishin ndotëse.
Rikthimi i hapësirave publike nga makinat e sekuestruara
Njëkohësisht me çregjistrimin e flotës së vjetër, qeveria ka nisur punën edhe për trajtimin e një problemi tjetër mjedisor dhe urbanistik: lirimin e hapësirave publike të zëna nga mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara.
Këto mjete, të cilat prej vitesh qëndronin të braktisura në zona të caktuara, janë shndërruar në vatra ndotjeje dhe probleme serioze mjedisore. Qëllimi i kësaj nisme është rikthimi i këtyre hapësirave në funksion të komunitetit dhe rritja e standardeve të jetesës urbane.
Të dyja këto masa pritet të kenë një ndikim të dukshëm në uljen e ngarkesës mjedisore dhe në rritjen e shkallës së shfrytëzimit të hapësirave publike në zonat urbane.
/rtsh.al/