Pasuritë, zyrtarët që kalojnë në hulumtim

Kryetari i opozitës, Edi Rama, tetë deputetë dhe dhjetëra drejtues të lartë të administratës shqiptare, do të jenë nën procesin e verifikimit të imtësishëm të pasurisë. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), realizoi “ILDKP me dyer të hapura”, një aktivitet në të cilin morën pjesë dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile, medias e qytetarë, dhe që synon realizimin e transparencës maksimale me publikun për mënyrat e investigimit të interesave private të zyrtarëve të lartë shqiptarë. Lista e përzgjedhur nga shorti mban shumë emra të rëndësishëm, mes të cilëve janë: kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama; deputetët e PS-së, Eduard Shalsi, Mimi Kodheli, Damian Gjiknuri, Tom Doshi dhe Olta Xhaçka; ish-deputeti socialist Rrapush Tola; ai i LSI-së Nasip Naço dhe deputeti demokrat, Gazmend Oketa. Lista mban emrat e ambasadorit tonë në Malin e Zi, Tonin Beci; ambasadorit tonë në Turqi, Altin Kodra; komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi; kryetares së KKRT-së, Endire Bushati; rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule; zv.ministrit të Jashtëm Selim Belortaja etj. Në këtë aktivitet, ku u hodh edhe shorti për përzgjedhjen e 4 për qind të zyrtarëve që kalojnë në kontroll të plotë (190 zyrtarë), inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, z.Adriatik Llalla, e konsideroi aktivitetin si vazhdimësi pozitive në ndërtimin e strukturës solide që ka nisur të krijojë institucioni me publikun e gjerë në luftën kundër korrupsionit. “Në vitin 2009, Inspektorati i Lartë hodhi gurin e parë të themelit të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me publikun, për zbulimin e elementit korruptiv në administratën publike. Tashmë, shohim me kënaqësi se kjo sfidë e rëndësishme është përballuar me sukses dhe frytet kanë nisur të jenë të bollshme. ILDKP ka fituar besimin e publikut, e cila përkthehet në raste konkrete me zyrtarë të cilët janë vendosur para përgjegjësisë ligjore për situata korruptive”, u shpreh Llalla. Në takim përshëndeti edhe nëndrejtori i USAID-it në Shqipëri, z. Sean Huff, i cili vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Inspektoratin e Lartë, si edhe rolin e institucionit në luftën për parandalimin dhe shmangien e korrupsionit. Më tej, publiku i pranishëm në aktivitet u bë pjesë aktive e përzgjedhjes me short të 190 zyrtarëve që kalojnë për kontroll të plotë nga Inspektorati i Lartë, e cila përbën edhe fazën më të rëndësishme të hetimit administrativ që kryhet nga institucioni. “ILDKP, me dyer të hapura”, aktivitet që realizon transparencë maksimale të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, zhvillohet për të dytin vit radhazi nga ky institucion në bashkëpunim me USAID-in.
#