Patenta/ Fluks vizitash te okulisti, shtohen anomalitë me shikimin

Shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, bashkë më pushimet kanë ardhur të bëjnë edhe kontrollet e domosdoshme për rinovimin e patentës.
Kjo vizitë, sipas mjekes Zana Zhuka, duhet të jetë shumë serioze.
“Vizita duhet të merret seriozisht edhe nga mjeku okulist, edhe nga klienti. Autorefraktometri është një aparat që bën përcaktimin e refraksionit të numrit të syzeve, nëse ka miopi, hipermetropi apo asigmatizëm. Pra bëhet fjalë për kontrollin e anomalive të refraksionit,” thotë mjekja e Poliklinikës Nr. 3.
Nga fluksi i kontrolleve, mjekja konstaton anomali të shtuara me shikimin për të cilat nuk kanë dijeni shumë nga kandidatët për marrjen e lejes se drejtimit.
“Kemi pasur shumë djem dhe vajza që kanë nevojë për syze. Një vërejtje kam, që ua kam thënë edhe drejtpërdrejt: duhet ta kishin bërë kontrollin përpara se të vinin për vizitën vlerësuese të patentës tek okulisti. Pothuajse të gjithë i mësojnë problemet me shikimin gjatë kësaj vizite,” shprehet okulistja Zhuka.
Përveç emigrantëve këtij fluksi i shtohen edhe 18-vjeçarët, që pajisen për herë të parë me lejen e drejtimit të automjetit, si edhe ata që duan ta rinovojnë këtë dokument.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/