Patozi: Nuk do kandidoj për kreun e PD-së. Të gjithë fajtor për humbjen
Pas dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili mori me vete të gjitha përgjegjësitë për humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit, Astrit Patozi është zëri i parë i fuqishëm në selinë Blu, i cili pranon hapur bashkëpërgjegjësinë edhe të drejtuesve të tjerë të lartë të partisë.
Personalizimi i përgjegjësisë është ekzagjeruar, ajo nuk është vetëm e Berishës por e të gjithëve. Edhe unë jam pjesë e përgjegjësisë, tha Patozi gjatë një reagimi për mediat.
Dhe duke e quajtur kështu veten bashkëfajtor për humbjen e Partisë Demokratike në 23 qershor, Patozi ka vendosur të mos kandidojë për postin e kryetarit, të lënë bosh nga Sali Berisha.
Megjithatë, ky vendim, duket se nuk e pengon Patozin që të shprehë pritshmërinë e tij për procesin nga ku do të zgjidhet lidershipi i ri i selisë Blu.
PD në këtë garë ringritjeje ka nevojë për një garë të fortë dhe të ndershme. Gara duhet të jetë e gjerë dhe jo fiktive dhe Kryetari i ri duhet te ketë një mandat të fortë tha Patozi duke iu përgjigjur interesit të mediave.
Më tej, Patozi shton se Partia Demokratike ka potenciale të mëdha dhe është një forcë serioze që do të dijë ta kalojë këtë moment.