Patozi: Zgjedhjet për PD-në sishin garë. Fituesi, i paracaktuar. Berisha gaboi
Tiranë- Shtohen zërat kritikë brenda PD-së. Nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi në studion e Top Story të enjten ka deklaruar hapur se zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së nuk ishte një garë, por fituesi ishte i paracaktuar. Madje ai thekson se nga dëshpërimi për këtë fakt, nuk ka marrë pjesë në votimin e 22 korrikut:
“Unë bëra një gjest dëshpërimi për shkak se në partinë time, në PD, nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe unë thjesht nuk doja që të merrja pjesë në një proces që nuk ishte ashtu sic ne na takonte dhe kaq është gjithë ajo që unë mund të them për përfshirjen apo mospërfshirjen time në proces. Nuk ishte garë korrekte. Nuk ishte garë korrekte për shkak se fituesi ishte paracaktuar”,- deklaroi Patozi. Për më teper ndiqni intervistën e plotë të Astrit Patozit dhënë për gazetarin Sokol Balla.
Sokol Balla: Zoti Patozi, cfarë ishte procesi i 22 korrikut?
Astrit Patozi: Për tiu përgjigjur deri në fund kësaj pyetje, kam dëshirë që ta nis me një lajm që e them për herë të parë në televizionin tuaj. Unë nuk i përkas as asaj pjesë që ka votuar 80 përqind për Lulzim Bashën dhe as pjesës tjetër që ka votuar 20 përqind për Sokol Olldashin. Arsyeja është fare e thjeshtë. Unë as nuk kam uruar fituesin dhe as nuk kam ngushëlluar humbësin, sepse unë thjesht nuk kam votuar.
Sokol Balla: Përse nuk votuat zoti Patozi?
Astrit Patozi: Për ta shpjeguar më qartë këtë gjest, sepse gjest është që nuk ndryshon asgjë. Vota ime ka qenë e barabartë me votën e cdo demokrati të thjeshtë dhe 41 mijë vota ishin të mjaftueshme që të nxirrnin një fitues. Në 23 qershor, jam ngritur në orën 5 të mëngjesit, ose më saktë nuk kam fjetur fare atë natë, sepse ishte nata e fundit para zgjedhjeve, ku bënim përgatitjet finale. Jam ngritur në 5 të mëngjesit, i kam hipur makinës dhe kam ardhur në Tiranë për të votuar dhe në 07:15 kam hedhur votën time me bindjen se vota ime mund të mos e ndryshonte rezultatin, por vota ime kishte rëndësi si cdo votë e kujtdo qytetari shqiptar. E kam bërë këtë në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale që ka zhvilluar PD, pavarësisht se unë në shumicën e kohës kam qenë i dërguar i PD-së, në skajet e largëta të vendit, Sarandë, Delvinë, Vlorë etj. Ndërsa në 22 korrik, e kam patur kutinë e votimit, ku duhet të shprehja vullnetin tim për kryetarin e ardhshëm të partisë, e kam patur vetëm dy metra në lartësi fizike me zyrën time. Salla ku zhvilloheshin zgjedhjet është 1 kat poshtë zyrës time, pikërisht nën tavolinën time.
Sokol Balla: Dhe ju nuk shkuat
Astrit Patozi: Dhe unë nuk kam shkuar të votoj me bindjen se vota ime nuk kishte asnjë vlerë dhe kërkesën e fundit që unë të merrja pjesë në votim e kam patur nga kandidati në garë, zoti Olldashi i cili 5 minuta para se të bënte deklarimin e tij të ditës së hënë, më kërkoi miqësisht që të votoja, pavarësisht që edhe ai ishte i bindur që vota ime nuk kishte rëndësi. I thashë, ti merr vendimet e tua, për të miat përgjigjem vetë, sepse për të nuk ishte e hijshme që nënkryetari i partisë të mos merrte pjesë në garë. Cfarë ishte ky gjest? Nuk ishte ndonjë burrëri e madhe. Absolutisht jo. Burrëri është që ti thuash gjërat dhe ta shprehësh vullnetin sepse shqiptarët apo demokratët që më kanë votuar gjatë gjithë këtyre viteve, kërkojnë prej meje, të njëjtën gjë që unë u kërkoj atyre, të shprehin vullnetin me votë, ta bëj edhe unë sa herë që të më jepet rasti. Unë nuk e bëra dhe i kërkoj ndjesë cdo shqiptari dhe cdo demokrati që ka votuar për mua, për shkak se gjesti im nuk ishte gjest force. Ishte dëshpërues. Unë bëra një gjest dëshpërimi për shkak se në partinë time, në PD, nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe unë thjesht nuk doja që të merrja pjesë në një proces që nuk ishte ashtu sic ne na takonte dhe kaq është gjithë ajo që unë mund të them për përfshirjen apo mospërfshirjen time në proces. Nuk ishte garë korrekte. Nuk ishte garë korrekte për shkak se fituesi ishte paracaktuar. Sigurisht që fituesi mund të paracaktohej apo mund të përzgjidhej dhe legjitimiteti i tij të mos cënohej, sepse ne kishim një garë brenda llojit dhe një garë kufijtë e së cilës dhe rregullat i përcaktoi në një farë mënyrë, kryetari i dorëhequr, Sali Berisha i cili në aktin e tij kishte 3 mënyra për të bërë zgjedhjet. E para të qendronte në detyrë sepse ka një debat ende shumë demokratë, mendojnë që Sali Berisha i udhëheq më mirë se kushdo tjetër drejt ringritjes dhe drejt fitores. Po të më pyesni mua, unë them që Berisha bëri gjënë e duhur në kohën e duhur. Pra Berisha u soll si burrë shteti në aktin e tij të dorëheqjes menjëherë pas humbjes, një gjë që se ka bërë rivali i tij që sot e konsideron veten kryeministër të zgjedhur. Nuk e bëri katër vjet më parë. Pra kjo është një diferencë shumë e madhe mes dy udhëheqësve. Sali Berisha nuk e zgjodhi rrugën e parë dhe mund të zgjidhte dhe ishte në të drejtën e tij, sepse statuti i PD-së, ndryshe nga ai i PS-së në 2009, nuk e ka të shkruajtur që kryetari që humb zgjedhjet jep dorëheqjen. Rruga e dytë ishte që Sali Berisha si kryetar i dorëhequr dhe jo i dëbuar nga PD, mund të propozonte atë që ai e konsideronte pasuesin e tij, atë që ai e konsideronte më të mirin ndër potencialet që kishte PD. Berisha nuk zgjodhi rrugën e dytë, zgjodhi rrugën e tretë që të kishte garë dhe që rivalët të dilnin në sipërfaqe dhe duke zgjedhur rrugën e tretë përcaktoi rregullat dhe mënyrën se si do zgjidhjej kryetari i ri i PD. Në fakt gabimi ishte i madh sepse u artikulua apo u tha në publik rruga e tretë, por u aplikua rruga e dytë. Ky ishte një gabim që solli një pasojë, pasoja ishte jo thjesht 20 përqindëshi i Sokol Olldashit sepse absolutisht nuk jam këtu për të shprehur keqardhjen apo pikëllimin tim për të ardhmen politike të Sokol Olldashit apo të ardhmen time politike apo të gjithëkujt tjetër, sepse unë mendoj që humbja e një gare, edhe kur ajo nuk është korrekte, nuk është fundi i botës për asnjë politikan që ka potencial për të qenë udhëheqës apo drejtues. Kjo vlen për Sokol Olldashin dhe për këdo tjetër, që jo vetëm ka ambicie, por mbi të gjitha ka cilësi për të qenë lider drejtues. Pra ne u vumë në kushtet e një gare të pabarabartë sepse ndodhi që shpenzuam energji të panevojshme për të krijuar një hendek mes demokratëve. Të jeni të sigurtë që demokratët nuk do ndaheshin kurrë me njëri-tjetrin për shkak të Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Absolutisht kurrë! Janë shumë të vegjël që të dy, megjithë cilësitë e mira që kanë dhe që unë i respektoj. Janë të vegjël për të krijuar carje mes demokratëve sepse të dy kanë merita por edhe të meta. Sigurisht që mes demokratëve mund të krijohej një frakturë nëse në fillimin e garës u luajt me ndarjen e famshme oruelldiane të fermës së kafshëve ku të gjithë rivalët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët dhe në finishin e garës u hoqën dorezat dhe njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës, njëri ishte i Partisë Demokratike dhe tjetri sdihej nga kishte ardhur. Në këto kushte sigurisht që gara u prish dhe ky ishte një gabim i rëndë për të cilin PD nuk kishte asnjë interes.
Sokol Balla: Atëherë kush pati interes?
Astrit Patozi: Tani gabimet shpesh ndodhin për shkak se situata rrjedh. Unë nuk jam këtu sot që të bëj një analizë për arsyet se përse ndodhi sepse nuk kanë të bëjnë me mua. Jam këtu që të bëj një transparencë. Ka kundërshtarë politikë që daljen time do të konsiderojnë si një kundërvënie ndaj PD, që sështë fare e vërtetë sepse PD është jo vetëm shtëpia ime politike, por edhe shtëpia ime dhe vendi ku unë kam kaluar jetën time. Në PD unë kam që nga viti 1997 kur jam bërë kryeredaktor i RD-së, e deri më sot unë jam cdo ditë, si askush tjetër, unë jam cdo ditë në orën 9 në të njëjtin vend në Selinë e PD dhe ajo është shtëpia ime, është jeta ime dhe kundërshtarët politikë sigurisht mund të mendojnë që tek e fundit