E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedagogu në gjykatë: Sdua mëshirë, se jam i pafajshëm

Sytki Mulla, pedagogu i arrestuar

Gjykata e Korçës e cilëson të ligjshëm arrestimin e pedagogut të Ekonomikut me akuzën e falsifikimit të pasaportave biometrike.Trupi gjykues ka pranuar faktet e Prokurorisë për Sytki Mullën dhe tre personat e tjera të prangosur me të, dy prej të cilëve punonjës të kompanisë ALEAT duke shpjeguar se masa e sigurimit personal arrest në burg në mungesë, e dhënë prej saj, nuk ka pasur rrethana për revokim. Gjatë kësaj seance dëgjimore, asnjë prej 4 personave nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria. Nga banka e të akuzuarit pedagogu i Ekonomikut dhe aktivisti i PS, Sytki Mulla, ka kërkuar drejtësi para togave të zeza. Jam i pafajshëm. Skam asnjë lidhje me këto akuza. Di të them që po gaboheni duke më mbajtur këtu. Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi dhe për mua drejtësia është pafajësi. Për mua dhe për djalin tim, ka thënë në sallë profesori i Matematikës. Edhe pse nga mbrojtja është ngritur pretendimi se objektivisht Sytki Mulla nuk mund të ketë ndërhyrë në pasaportat biometrike, pasi nuk ka asnjë lidhje me procedurat e kompanisë ALEAT për gjithë aplikuesit, Prokuroria ka insistuar se dyshimi ndaj këtij të akuzuari është i besueshëm, duke bërë kështu që gjykata të lërë në fuqi vendimin fillestar të saj. Edhe i biri i tij është mbrojtur, duke u shprehur se nuk mund të ndërhyjë në sistemin e gjendjes civile. Unë ushtroj detyrën e specialistit të IT-së pranë kompanisë ALEAT, ku kam për detyrë aplikimin dhe prodhimin për nxjerrjen e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Kompania ALEAT nuk ka të drejtë për regjistrimin dhe modifikimin e të dhënave të aplikantëve, kjo me vendim qeverie. Të gjitha të dhënat merren të gatshme nga sistemi elektronik, i cili menaxhohet nga qeveria shqiptare ose gjendja civile. Asnjë punonjës i kësaj kompanie nuk e ka të lejuar të tjetërsojë këto të dhëna që i merr të gatshme. Nuk e kuptoj këtë masë sigurie dhe deklarohem i pafajshëm, është shprehur Relis Mulla para gjykatës. Edhe pse nuk e ka pranuar akuzën, djali i pedagogut të Fakultetit të Ekonomisë është lënë nga gjykata nën të njëjtën masë sigurie. Në të njëjtën formë është proceduar edhe për 2 të akuzuarit e tjerë, Armando Cenolli dhe Artur Feto, të cilët gjithashtu nuk kanë pranuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke kërkuar masa më të lehta sigurie. Madje, ky i fundit ka kërkuar nga organi i akuzës ballafaqimin me dëshmitarë, të cilët të deklarojnë kundër tij. Kërkoj dikë që unë e kam ndihmuar për nxjerrjen e pasaportave të jashtëligjshme. Ajo që mund të them është se jam duke u akuzuar më kot për 3 vepra penale, ka thënë Feto. Vetëm 4 ditë më parë, Policia e Korçës publikoi arrestimin e tyre për ndërhyrje të paligjshme në ndryshimin e gjeneraliteteve të personave, të cilët kishin probleme me ligjin në vende të ndryshme të Europës. Dy prej tyre ishin punonjës të kompanisë ALEAT, njëri pedagog pranë Universitetit Fan Noli në Korçë si dhe një person i katërt, në rolin e sekserit.

Policia: Kemi prova mbi falsifikimet

Pas arrestimit të katër personave, Policia e Korçës bëri të ditur se ka prova të shumta që çuan në prangosjen e tyre. Sipas saj, një hetim 3-mujor intensiv zbardhi dhe skemën, duke bllokuar në flagrancë dhe provat materiale. Gjithmonë sipas të dhënave të Policisë, pohohet se në 14 muaj janë nxjerrë 38 pasaporta biometrike me gjeneralitete false.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›