Pelegrinazh besimtarësh ortodoksë në Kishën e Ristozit

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo ndau në rrjet pamje nga Kisha e Ristozit në fshatin Mborje, e cila është një vlerë e trashëgimisë kulturore dhe një ndër më të vjetrat në Ballkan. Besimtarë të shumtë ortodoksë festuan sot Ditën e Analipsit, ngjitjen në qiell të Jezu Krishtit.
Kisha e Ristozit në Mborje është një ndër kishat më të rëndësishme që daton në periudhën Bizantine në Shqipëri. Ajo ndodhet rrëzë malit të Moravës, në juglindje të Korçës. Kjo kishë është ndërtuar dhe pikturuar në vitin 1389. Ky fakt vërtetohet me anën e mbishkrimit që gjendet mbi portën perëndimore të kishës.
Kisha ka një planimetri të veçantë në formën e një kryqi të brendshkruar dhe përbëhet nga naosi dhe një hajat i shtuar në anën perëndimore dhe jugore. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe i ndërtuar me tulla. Në tambur gjenden katër dritare dhe katër nike.
Struktura e naosit paraqet një planimetri kryqi të brendashkruar pa mbështetje të lirë, ndërsa një tambur me kupolë ngrihet mbi sistemin e qemerëve harqembajtës. Pjesa e mjedisit të altarit ndodhet në krahun lindor të kryqit, ndërsa hyrjet në kishë janë nga dy porta, njëra në anën jugore dhe tjetra në anën perëndimore.
Kisha e Ristozit në Mborje është shpallur Monument Kulture i Kategorisë I, në vitin 1948 dhe është një vlerë e shtuar për Trashëgiminë Kulturore të qytetit të Korçës.
1 nga 8/r.e/