Peleshi: Pagat për zjarrfikësit rriten deri 30% në varësi të gradës

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, bëri të ditur se, Këshilli i Ministrave miratoi sot rritjen e pagave edhe për zjarrfikësit.
Në një komunikim me median pas mbledhjes së Qeverisë, Peleshi tha se, “sot ka një rritje të pagave për këtë sektor që shkon deri 30% në varësi të gradës”.
Sipas tij, asistent zjarri që është grada më e ulët e zjarrfikësit, me pagë aktuale 46 mijë lekë rritet me 30.42% dhe në vlerë 14 mijë lekë dhe paga sot për këtë kategori shkon në 60 mijë lekë.
“Pra kushdo që hyn në shërbimin zjarrfikës nis me pagë fillestare nga sot në vlerën 60 mijë lekë”, tha ministri.
Peleshi informoi se, zjarrfikës, një gradë më lartë, ka pasur pagën 52.500 lekëk, sot shkon në 65,000 lekë.
“Kryezjarrfikës nga 55.000 lekë shkon në 70,000 lekë.Kryeinspektor zjarrfikës nga 74.500 lekë shkon në 85.000 lekë. Inspektor zjarrfikës 64.200 lekë shkon në 75.000 lekë, Komisar zjarrfikës nga 97.500 lekë shkon në 105.000 lekë. Drejtues zjarrfikës nga 108.000 lekë shkon në 115.000 lekë. Drejtues i parë zjarrfikës nga 120.000 lekë në 140.000 lekë dhe drejtues i lartë zjarrfikës nga 131.000 lekë shkon në 160.000 lekë”, tha Peleshi.
Ministri deklaroi se, jemi në nivele shumë dinjitoze për sa i takon pagave.
“Dua ta mbyll me një fjali. Jemi për fat të keq në prag të sezonit të zjarreve, vera e nxehtë sjell dhe qinda vatra zjarresh. Iu bëj thirrje kryetarëve të bashkive, natyrisht edhe një apel të gjithë forcës tonë zjarrfikëse, të qëndrojnë në krye të detyrës për eleminimin e pasojave, në një stinë që fatkeqësisht pritet të jetë me e nxehtë se vitet e tjera”, u shpreh ministri Peleshi.